Sot në Prishtinë ka ndodhur një rast i tentim-korrupsionit, ku një qytetar dyshohet se ka ofruar ryshfet në vlerë prej 2,000 eurosh ndaj një zyrtareje të Drejtorisë së Urbanizmit.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se qytetari ka tentuar t’ia jipte të hollat me qëllim që të përshpejtonte ose të ndikonte në trajtimin e një rasti konkret në këtë drejtori.
Zyrtarja komunale nuk ka pranuar shumën, por menjëherë e ka njoftuar Policinë e Kosovës për ngjarjen.
Aktualisht, zyrtarja është duke dhënë deklaratë në Njësinë për hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Lidhur me rastin është konfirmuar zyrtarisht edhe nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.
“Po është e vërtetë. Një zyrtare jona ka bashkëpunuar me organet e drejtësisë ngase një qytetar ka tentuar t’ia jipte 2000 euro ryshfet për të kryer një favor. Zyrtarja ka njoftuar drejtorin dhe organet e drejtësisë dhe aktualisht ajo është duke dhënë intervistë”, thuhet në konfirmimin e Drejtorisë së Urbanizmit në Prishtinë.