Socialistët e Tiranës po zhvillojnë një takim në Pallatin e Kongreseve, në vigjilje të 35- vjetorit të themelimit PS-së. I pranishëm në këtë takim është edhe kryeministri Edi Rama, njëkohësisht edhe kryetar i PS-së.
Takimi u hap fillimisht me pamje filmike duke nisur nga 12 qershori 1991 që shënon themelimin e kësaj force politike pas ndryshimit të emrit, shoqëruar me fjalimin historik të Dritëro Agollit.
Në kongresin e 10–13 qershorit 1991, partia ndryshoi emrin në Partia Socialiste e Shqipërisë, duke u bërë anëtare edhe e Internacionales Socialiste. Pamjet filmike risollën në vëmendje edhe liderin historik të së majtës, Fatos Nano i cili e drejtoi këtë forcë politike nga vitit 1991–2005.
Në 35-vjetorin e themelimit të kësaj force politike, u risoll në pamjet filmike edhe goditja e opozitës nga pushteti i asaj periudhe, ku më 28 maj 1996, protestat e opozitës në Tiranë u shtypën me dhunë nga policia. Në historiografinë e majtës shqiptare, 26 maji 1996 njihet si “masakra zgjedhore” ose “goditja më e rëndë ndaj opozitës” në periudhën pas 1991-shit.
Më pas janë transmetuar edhe pamje të vitit të mbrapshtë 1997, duke u pasur me transformimin e vendit deri në qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.
Rama në 35-vjetorin e PS: Hapja ndaj shoqërisë është në ADN-në tonë
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shënuar 35-vjetorin e themelimit të kësaj force politike gjatë një ceremonie festive me socialistët e Tiranës, zhvilluar në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Në fjalën e tij, Rama e ka vënë theksin te evolucioni i partisë ndër vite, duke e cilësuar aftësinë për t’u transformuar dhe hapur si çelësin e suksesit dhe fitoreve të njëpasnjëshme elektorale.
Kryesocialisti Rama u rikthye në momentin e lindjes së PS-së, duke argumentuar se ndryshimi i emrit 35 vite më parë nuk ishte një manovër thjesht formale, por një kthesë rrënjësore në filozofinë e partisë.
“Aftësia për t’u hapur buron nga koha; është në ADN-në e PS-së që në momentin e lindjes së saj. PS, 35 vite më parë, nuk ndërroi thjesht emrin. Kjo ishte më e lehta zyrtarisht për t’u bërë. Me ndërrimin e emrit, ajo ndërroi edhe qasjen ndaj vetes, ndaj shoqërisë dhe ndaj të ardhmes,” u shpreh Rama.
ADN-ja politike dhe sfidat e së ardhmes
Sipas Ramës, ajo që e ka mbajtur PS-në në qendër të politikbërjes shqiptare për më shumë se tre dekada është pikërisht fleksibiliteti për t’u përshtatur me kërkesat e kohës. Kreu i PS-së e vuri theksin te fakti se partia nuk ka qenë statike, por është përpjekur të pasqyrojë nevojat e qytetarëve, duke u shndërruar nga një forcë e ngurtë politike në një strukturë të hapur ndaj kontributeve të reja.
Rama: Partia Socialiste, produkt i rilindjes; Ruçi dhe patronazhistët, motori i fitoreve tona
Në vijim të fjalës së tij për 35-vjetorin e Partisë Socialiste, kryetari Edi Rama ka ndërtuar një paralelizëm mes vizionit themelues të partisë dhe mekanizmave që garantojnë mbijetesën dhe suksesin e saj elektoral sot.
Duke iu referuar rrënjëve të PS-së, Rama argumentoi se kjo forcë politike nuk lindi nga një sentiment nostalgjie për të shkuarën, por nga një domosdoshmëri për të parë nga e ardhmja.
“Partia Socialiste nuk doli si produkt i një krenarie për atë që linte pas, por si produkt i një reflektimi lidhur me atë që vinte përpara. Asnjë parti tjetër e krijuar në Shqipëri – përfshirë edhe ata që sot paraqiten si kundërshtarë – nuk e ka dot atë që PS ka në ADN: ndarjen dhe rilindjen për t’u hapur,” deklaroi Rama.
Një pjesë të rëndësishme të fjalimit Rama ia kushtoi figurës së Gramoz Ruçit, duke e portretizuar atë si një “institucion” të lidhjes njerëzore brenda strukturës socialiste. Rama përshkroi përkushtimin e Ruçit – i cili, sipas tij, edhe në epokën digjitale mbetet “anolog” në shërbim të njeriut.
“Askush nga ne nuk e ka arritur atë që Gramozi ka bërë dhe vijon të bëjë: t’i përgjigjet çdo njeriu. Po të mbledhësh rrugët që Gramozi ka bërë për vaki, ngushëllime apo dasma, janë të panumërta,” u shpreh kryesocialisti.
“Patronazhistët”, çelësi i suksesit
Duke e lidhur këtë lloj përkushtimi me makinerinë elektorale të partisë, Rama e shpalli Gramoz Ruçin si “kryepatronazhistin” e Partisë Socialiste. Ai theksoi se rezultatet zgjedhore nuk janë rastësi, por fryt i punës së shtrirë “derë më derë”.
“Arsyeja bazë e rezultateve të PS janë patronazhistët. Ata bëjnë atë që Gramozi ka bërë me të gjithë familjen socialiste. Mund të jesh drejtues organizate, por s’e ke vlerën e një patronazhisti,” deklaroi Rama, duke vlerësuar punën e kësaj strukture si themelin e lidhjes së pandërprerë me njerëzit, një amanet ky që, sipas tij, Ruçi e kërkon të ruhet me fanatizëm.
Rama: PS, qëndrimi më korrekt ndaj të shkuarës dhe respekt real për të përndjekurit
Në fjalën e tij, kryetari i PS-së, Edi Rama, u ndal edhe te një ndër çështjet më të ndjeshme të debatit politik shqiptar: qëndrimi ndaj historisë dhe periudhës së komunizmit. Ai theksoi se Partia Socialiste ka ruajtur një vijë të pandryshueshme respekti për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare (LANÇ), duke e konsideruar rreshtimin e Shqipërisë krah fitimtarëve si një pjesë të historisë që “nuk preket, por vetëm respektohet”.
Sipas Ramës, PS ka mbajtur qëndrimin më korrekt ndaj të shkuarës, duke u distancuar nga retorika populiste e forcave të tjera politike. Një vëmendje të veçantë ai i kushtoi trajtimit të të përndjekurve politikë:
“Socialistët kanë treguar respekt real për të përndjekurit politikë, më shumë sesa forcat e tjera që u krijuan ‘medemek’ për t’i përfaqësuar. Ky respekt është dëshmuar përmes qeverive socialiste, të cilat kanë dhënë dëmshpërblime për personat që ishin ende gjallë dhe kishin dalë nga burgjet, duke mos i lënë të iknin nga kjo botë pa marrë të drejtën e tyre,” tha Rama.
Kreu i PS-së akuzoi palët e tjera politike se kanë dështuar në këtë mision moral, duke theksuar se qeverisjet socialiste kanë qenë ato që kanë zgjidhur realisht çështjen e dëmshpërblimeve, duke e vendosur drejtësinë për të përndjekurit përpara interesave të tjera klienteliste. Sipas Ramës, “të tjerët e kishin prishur radhën”, duke lënë në harresë ata që ishin arsyeja kryesore e kauzës së tyre.
Rama: E vështirë ta gëlltitësh që nuk ka akoma drejtësi për 21 Janarin
Kreu i Partisë Socialiste dhe njëherësh kryeministri Edi Rama deklaroi se është e vështirë të gëlltitet që akoma nuk ka drejtësi për 21 Janarin.
Duke folur në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste në Pallatin e Kongreseve, Rama theksoi se “çdokush që ka qenë shpirtërisht me atë bulevard atë ditë e ka shumë të vështirë ta gëlltisë që nuk ka akoma drejtësi”.
“Çdokush jo që ka qenë në bulevard kur u vranë 4 njerëz, por që ka qenë shpirtërisht me atë bulevard atë ditë e ka shumë të vështirë ta gëlltisë që nuk ka akoma drejtësi”, u shpreh Rama.
Rama bëri një retrospektivë të Partisë Socialiste duke theksuar se forca politike që ai drejton u përball me një hapësirë lirie jo demokratike pas viteve ’90.
“Por mos harroni PS-ja u ballafaqua pas lindjes së saj në një hapësirë lirie jo demokratike. Ishte liri, mund të krijonte parti, mund të pushtonte edhe parkun Rinia, mund të rrëmbente vajza për t’i çuar në Itali, por nuk ishte demokraci dhe Partia Socialiste u ballafaqua me më të keqen që mund të ballafaqohet një opozitë që është e regjistruar legalisht si e tillë por që nuk funksionon dot si e tillë sepse lëri rrahjet dhe ato që i tregoi të gjitha Musai, por kryetarin e vet e pati në burg për disa vite politikisht të dënuar”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se Fatos Nano ka një kontribut të jashtëzakonshëm në demokratizimin e Partisë Socialiste dhe jetës politike në Shqipëri.
“Fatos Nano ka një kontribut të jashtëzakonshëm që me sensin e tij të lidershipit dhe me sensin e tij të demokracisë si një ndërtim që kur fillon aty nga ku filloi nuk doli nga burgu duke kërkuar hakmarrje por doli nga burgu duke kërkuar shteg”, deklaroi më tej Rama.
Partia Socialiste feston 35-vjetorin, Manastirliu: Socialistët udhëheqin projektin europian të Shqipërisë
Drejtuesja politike e qarkut të Tiranës, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj përshëndetëse në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, theksoi rëndësinë e këtij përvjetori si një histori politike, por mbi të gjitha si një histori njerëzore.
“Jemi këtu për të kujtuar dhe festuar përvjetorin e PS. Një histori politike, por një histori njerëzore. Janë 35 vite që kemi kaluar ngjarje, të mira, sfida dhe vështirësi. Por socialistët, kryesisht themeluesit e saj, ditën që nga dita e themelimit të saj të pozicionoheshin nga ana e duhur e historisë. Ishte pikërisht transformimi i saj që i dha drejtimin e duhur PS si partia më e madhe progresiste në vend,” – u shpreh Manastirliu.
Ajo kujtoi me mirënjohje figurat e shquara që kanë lënë gjurmë në historinë e Partisë Socialiste:
“Dua të kujtoj dhe mirënjohje të thellë, të paharrueshmit që sot nuk janë mes nesh, por do të mbeten në memorien dhe historinë e PS. Kryetarin e saj të parë Fatos Nano, patriarkun e PS-së Dritëro Agolli, Prof. Servet Pëllumbi, ish-kryeministrin Bashkim Fino, e shumë e shumë të tjerë themelues. Ndaj shpreh mirënjohjen së bashku me të gjithë ata themelues të PS që i mbajtën bashkuara vlerat më të larta europiane për 35 vite.”
Manastirliu theksoi se Partia Socialiste ka ditur të udhëheqë me dinjitet edhe në periudhat më të vështira, duke marrë përgjegjësinë për rimëkëmbjen e vendit në vitin 1997 dhe duke fituar katër mandate radhazi nga qytetarët shqiptarë.
“PS ka parë gjithmonë nga e ardhmja, dhe në fakt edhe në vitet më të trazuara ka ditur të udhëheqë me dinjitet. Njerëzit i besojnë PS për të vijuar projektin politik për Shqipërinë europiane. Kujtojmë vitin ’97 kur PS mori përgjegjësinë për të rimëkëmbur vendin. Katër mandate radhazi iu besua nga qytetarët shqiptarë, projekti politik por mbi të gjitha aspirata e ngahershme e gjithë shqiptarëve për ta çuar Shqipërinë në BE. Historia e PS është shkruar nga mijëra gra dhe burra, që kanë punuar për të mbajtur të bashkuara këto vlera europiane,” – përfundoi Manastirliu.
35-vjetori i themelimit të PS-së/ Balla: Forca politike që di të bëjë shtet
Në ceremoninë e organizuar me rastin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, kreu i grupit parlamentar të kësaj partie, Taulant Balla, deklaroi se PS-ja ka qenë forca politike kryesore që ka kontribuar në ndërtimin e shtetit shqiptar modern me institucione funksionale.
Në fjalën e tij, Balla u kthye në themelimin e partisë më 12 qershor 1991, duke cituar fjalët e themeluesit Fatos Nano: “Ne do ta bëjmë këtë vend. Askush nuk e bën tjetër”.
“Sot i kam mbledhur disa mendime dhe po e filloj me një fjali që tha Fatos Nano 35 vite më parë më 12 qershor këtu në këtë sallë; ‘Ne do ta bëjmë këtë vend. Askush nuk e bën tjetër’, tha Fatos Nano më 12 qershor 1991”, tha Balla.
Ai theksoi se ky angazhim është konfirmuar gjatë 35 viteve si në qeverisje ashtu edhe në opozitë, duke kontribuar në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.
Balla nënvizoi suksesin elektoral të Partisë Socialiste, duke theksuar se PS ka fituar 15 nga 20 betejat elektorale në këto 35 vjet.
“Nëse do të më kërkonte ndokush të përmblidhja kontributin e partisë sonë në 35 vjet atë do ta formuloja kështu; Partia Socialiste ka meritën kryesore në Shqipëri të bërjes shtet me institucione funksionale, shërbime europiane, ekonomi që rritet; tre herë më e madhe ekonomia në 2025-n se sa në 2013-n”, deklaroi Balla.
Ai përmendi gjithashtu zhvillimin e shoqërisë shqiptare drejt një modeli me “drejtësi dhe barazi para ligjit, transformimin e vendit në një destinacion turistik atraktiv, si dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Shqipërisë si një shtet me miq e partnerë të besueshëm, që respekton të tjerët duke respektuar në radhë të parë vetveten”
Partia Socialiste feston 35-vjetorin, ja porositë që Gramoz Ruçi u la socialistëve të rinj
Në kuadër të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, ish-drejtuesi i saj, Gramoz Ruçi, mbajti një fjalë ku ndau reflektime mbi rrugëtimin politik të PS-së dhe mirënjohjen për socialistët ndër vite.
Ruçi theksoi se Partia Socialiste ka arritur të forcohet dhe të zgjerohet, duke u bërë më vitale dhe më progresive. Ai solli në vëmendje faktin se sot PS ka një përfaqësim të barabartë të grave dhe vajzave në strukturat drejtuese, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme që e bën partinë më moderne dhe më të fuqishme.
Në fjalën e tij, ish-drejtuesi socialist la edhe një “amanet” për brezin e ri të socialistëve dhe drejtuesve të ardhshëm. Ai u kërkoi që të mos harrojnë anëtarin e thjeshtë të PS-së, të ruajnë respektin për votuesin dhe të jenë pranë tij në çdo moment, qoftë në gëzime apo në vështirësi. Ruçi nënvizoi se komunikimi i vazhdueshëm me bazën dhe simpatizantët është themeli i forcës së Partisë Socialiste dhe garancia për të ardhmen e saj.
“Sot, në 35-vjetorin e familjes sonë politike, dua të them që dhënia e kësaj certifikate mirënjohjeje modestisht mund të them që nuk është për mua dhe as për shokët e mi, sepse mirënjohja më e madhe për ne ishte ai besim që na dhanë socialistët ndër vite, për të qenë drejtues të tyre, për të qenë përfaqësues të tyre. Mirënjohja ime është për çdo socialist, për çdo votues të PS, për çdo drejtues, për çdo kryetar organizate, për çdo deputet dhe veçanërisht për ata të vitit 1992–1996.”
Ruçi shprehu mirënjohje edhe për drejtuesit aktualë të PS-së, duke vlerësuar Këshillin Kombëtar, Kryesinë, Grupin Parlamentar dhe qeverisjen e Partisë Socialiste.
Ai theksoi se sot PS është më vitale, më e fortë dhe më progresive, duke u rritur jo vetëm në numër, por edhe në përfaqësimin e grave dhe vajzave në strukturat drejtuese.
“Kur e nisëm këtë betejë kishim vetëm një anëtare kryesie, ndërsa sot 50% e kryesisë janë gra dhe vajza, 50% e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare janë gra dhe vajza, po sot 50% e këshilltarëve të Bashkive janë gra dhe vajza. Sot PS është më vitale, më e fortë, më progresive dhe mandati i katërt është pak, por sigurisht do të sigurojë edhe mandatin e pestë.”
Ruçi la edhe një “amanet” për socialistët e rinj dhe drejtuesit e ardhshëm të PS-së.
“Së pari duajeni dhe mos e harroni anëtarin e thjeshtë në PS. Duajeni dhe respektojeni votuesin e PS, gjenduni atij në gëzime dhe në hidhërim. Nëse nuk ia zgjidhni hallin, qajani hallin. Miqtë e mi, mos e humbisni kurrë komunikimin edhe me simpatizantët e PS.”