Pallati i Kongreseve, një nga institucionet me rëndësi parësore kombëtare në Shqipëri, pritet t’i nënshtrohet një transformimi rrënjësor.
Studioja prestigjioze arkitekturore “Herzog & de Meuron” nga Bazeli është shpallur fituese e konkursit ndërkombëtar për rikualifikimin e kësaj godine ikonike, duke sjellë një vizion bashkëkohor që ndërthur trashëgiminë me inovacionin.
Vendimi i jurisë, i kryesuar nga arkitektja Mari Randsborg, ka qenë unanim.
Sipas vlerësimit zyrtar, projekti i studios zvicerane është cilësuar si një “kryevepër”, e cila jo vetëm respekton vlerat arkitekturore ekzistuese, por propozon një qasje konservuese të integruar me kërkesat e jetës moderne publike.
Gjatë ceremonisë së shpalljes së fituesit, kryetarja e jurisë, Mari Randsborg, vuri theksin te ambicia e këtij konkursi për ta shndërruar Pallatin e Kongreseve në një pikë referimi të gjallë për qytetin.
“Juria iu qas konkursit me ambicien e qartë për të identifikuar një propozim që duhet të ishte i aftë të nderonte Pallatin e Kongreseve si një institucion me rëndësi kombëtare dhe ta shndërronte atë në një qendër tërheqëse për jetën publike, sociale e kulturore,” deklaroi Randsborg.
Sipas saj, propozimi i “Herzog & de Meuron” krijon një dialog harmonik midis të resë dhe të vjetrës. Projekti parashikon gjithashtu zhvillimin e një kampusi të ri përreth godinës, duke ndërtuar një lidhje më të fortë ndërmjet hapësirës institucionale dhe komunitetit.
Në vend të dytë në konkurs u shpall ekipi “MVRDV B.V” + “AEI Progetti Srl” + “IRI sh.p.k” + “Jason Bruges Studio Ltd ” + “Charcoalblue International Ltd” + “Arup Engineering Trading as Ove Arup & Partners Ireland Ltd”+ “Bami Holding”sh.p.k.
Ndërsa në vend të tretë u shpall ekipi “Studio GANG” + “Gener 2” sh.p.k +“AD-STAR shpk” + “Digi Print” + “Besart Papa” + “Rudina Papavasili”.
Trashëgimia dhe Inovacioni
Përtej funksionit si sallë për evente artistike apo konferenca, projekti synon që Pallati i Kongreseve të shërbejë si një hapësirë e hapur për qytetarët. Juria vlerësoi veçanërisht faktin që projekti fitues nuk e tjetërson godinën, por e pasuron peizazhin urban të Tiranës duke u mbështetur mbi trashëgiminë kulturore të vendit.
“Ky projekt ka potencialin të jetë një kontribut i rëndësishëm në peizazhin e Tiranës, që vazhdon të zhvillohet mbi trashëgiminë kulturore të qytetit,” shtoi më tej Randsborg.
Konkursi ndërkombëtar tërhoqi vëmendjen e disa prej studiove më të njohura në botë.