Gati 4.8 miliardë euro po qarkullojnë jashtë sistemit bankar, shifër që vjen në rritje krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Për të reduktuar pagesat me leë në dorë, Drejtoria e Tatimeve u bën thirrje strukturave akomoduese dhe shoqërive të transportit të mundësojnë pagesa elektronike deri më 30 maj, siç është detyrimi ligjor.
Pagesa me lekë në dorë vijon të jetë zgjedhja e parë për shqiptarët, pavarësisht se vitet e fundit janë shtuar edhe ato elektronike.
Shifrat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të marsit paraja që qarkullonte jashtë bankave arriti në 4 miliardë e 827 milionë euro, ose 331 milionë euro më shumë se në mars të 2025-ës.
PARAJA JASHTË BANKAVE
Mars 2025 4.496 mln euro
Mars 2026 4.827 mln euro
Diferenca +331 mln euro
Kjo ‘traditë’ e pagesave me lekë në dorë ka ardhur çdo vit e në rritje. Shifrat zyrtare tregojnë se brenda një dekade volumi i parave që qarkullojnë jashtë bankave është më shumë se 2-fishua. Nga 2.3 miliardë euro që ishte në 2015-ën, kjo shifër arriti në mbi 4.8 miliardë euro në fund të 2025-ës.
QARKULLI I PARASË CASH NË SHQIPËRI
Dhjetor 2015 2.3 mld euro
Dhjetor 2016 2.5 mld euro
Dhjetor 2017 2.6 mld euro
Dhjetor 2018 2.7 mld euro
Dhjetor 2019 2.8 mld euro
Dhjetor 2020 3.4 mld euro
Dhjetor 2021 3.6 mld euro
Dhjetor 2022 3.8 mld euro
Dhjetor 2023 3.9 mld euro
Dhjetor 2024 4.2 mld euro
Dhjetor 2025 4.8 mld euro
‘Lufta’ ndaj parasë cash bëhet për të ulur informalitetin, për të reduktuar fenomenin e pastrimit të parave, dhe do të shoqërohet edhe me hetime për justifikimin e pasurisë, pasi shpesh pas pagesave me para në dorë fshihen edhe burimet e paligjshme të pasurisë.
Për të reduktuar cash-in në ekonomi, përveç tavanit të caktuar për herë të parë këtë vit për qytetarët që nuk mund të bëjnë blerje me vlerë më të madhe se 5 mijë euro në cash, apo bizneset që u ul nga 1500 euro në jo më shumë se 1 mijë euro, do të hyjnë në fuqi edhe kushtet e reja për pagesat në disa sektorë.
Drejtoria e Tatimeve rikujton strukturat akomoduese, shërbimet e transportit, institucionet dhe shoqëritë publike me kapital shtetëror që brenda 30 majit të kenë instaluar pajisjen POS në pikat e shitjes për t’u mundësuar qytetarëve pagesa përmes kartave. Ky kufizim u caktua në ligjin për procedurat tatimore që ishte pjesë e paketës fiskale për këtë vit, dhe synon të shtrihet në të gjithë sektorët e ekonomisë brenda 31 dhjetorit 2026.
Përmes pagesave elektronike tatimet thonë se shtohet transparenca, shërbimi është më i shpejtë dhe ajo që është më e rëndësishme, formalizohet ekonomia.