10
Familjarë, miq e bashkëpunëtorë u përkulën me nder e respekt përpara trupit të ja pejetë të Servet Pëllumbit! Qindra qytetarët bënë homazhe për ish-kryetarin e parlamentit dhe një ndër kontributorët kryesorë të Partisë Socialiste, njeriun që arriti ta mbajë të bashkuar këtë forcë politike në vitet me të vështira, kur kryetari Fatos Nano ishte në burg.
Pëllumbi ishte nga politikanët e rrallë që dallonte për qetësinë dhe maturinë e tij. Gjë që e dëshmon dhe fakti që në nderimet për figurën e tij, u bashkuan të majtë be të djathtë.
I biri i tij, ish-deputeti socialist Arben Pëllumbi vuri në dukje se i ati i kishte mësuar si të jetonin me dinjitet!
“Babai ynë nuk ishte thjesht prind, ishte njeri i rrallë. Ai na mësoi se jeta duhet jetuar me ndershmëri, përgjegjësi dhe dashuri për familjen. Na mësoi të qëndrojmë të fortë, të mos ulim kokën dhe të ruajmë dinjitetin”, tha Arben Pëllumbi.Kryesocialisti Edi Rama tha se e ka njohur pak Profesor Servet Pëllumbin, por lidhja e tij me të ishte tipike e një antipatie reciproke, që u shndërrua më pas në një simpati reciproke. Rama tha se pavarësisht ndryshimeve që kishin mes tyre, me kohën pati një simpati e afrimitet të ndërsjellë, ndërsa e cilësosi pikë referimi për ndryshimin e epokave.
“Ajo që është më e rëndëisshme është kujtimi që ai lë mbrapa. Besoj që me zë ose pa zë, gjithkush që e ka njohur do ta kujtojë si burrë të mirë, të ndershëm, të mençur dhe mbi të gjitha, si burrë babaxhan”, tha Rama.Edhe opozitarë, kundërshtarë e ata që nuk i ka pasur në krah në betejat politikë vlerësuan Servet Pëllumbin.
“Ka qenë një nga zërat më të ekuilibruar, jo vetëm të politikës në përgjithësi, por brenda PS në veçanti. Një njeri reformator”, tha Bamir Topi. “Njeri i drejtë, i urtë i mençur, i cili si kryetar Kuvendi i dha dinjitet kuvendit”, tha Fatmir Mediu. “Servet Pëllumbi, ishte i fundit i të moderuarve, i të urtëve në nivel lideri politik në Shqipëri”, u shpreh Preç Zogaj.Humbje të madhe për vendin e quajtën bashkëpunëtorët e tij të cilët i dhanë lamtumirën e fundit.
“Ai komunikonte me kohën përmes problemeve që shqetësonin shoqërinë, mendonte se qeverisja dhe politika e mirë fillon tek pragu i derës së çdo qytetari”, theksoi Namik Dokle. “Është rrugëtimi i fundit sot i profesor Servet Pëllumbit. Jo më kot fotoja që qarkullonte dje ishte nga ky shesh dhe e meritonte të përcillej nga ky shesh”, tha Erion Braçe. “Mund të them që në politikën shqiptare nuk gjendet një i dytë as në të majtën, as në të djathtën që të ketë analizuar sfidat që ka vendi dhe të jetë inspirues për atë që duhet bërë më mirë”, theksoi Arben Malaj. “I doli për zot PS në një kohë shumë të vështirë”, tha Spiropali.Me muzikë funebre në sfond dhe me trëndafila të bardhë, Sevet Pëllumbi u përcoll për në banesën e Fundit, në varrezat e Sharrës aty ku trupi i tij do të prehet përgjithmonë! Pëllumbi u shua pak javë para ditëlindjes së 35-të të PS, partisë së cilës i dha një kontribut të çmuar që në fillimet e saj. Ai njihet si një nga deputetët më jetëgjatë të Kuvendit të Shqipërisë, me pjesëmarrje aktive në komisionet e ndryshme parlamentare. Në vitin 2002 ai u zgjodh kryetar i Parlamentit, post të cilin e mbajti deri në vitin 2005.