Pas një seance që përfundoi rreth orës 17:30, trupa gjyqësore shpalli vendimin me pesë vota pro dhe tre kundër, duke e cilësuar të pavlefshëm shkarkimin e Veliajt dhe të papërshtatshëm dekretin për zgjedhje të reja në Tiranë.
Mësohet se kundër ankimimit të tij ka votuar vetë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj si dhe dy anëtarët Sonila Bejtja dhe Gent Ibrahimi.
Pro rikthimit të Veliajt në detyrë kanë votuar 5 anëtarë të GJK, Sander Beci, Ilir Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferllari dhe Mariana Semini.
Praktikisht, edhe pse ndodhet në paraburgimin e Durrësit për shkak të hetimeve të SPAK, Veliaj rikthehet në detyrë si kryetar i Bashkisë Tiranë.
LEXO EDHE: Erion Veliaj fitoi gjyqin në GJK, Klodiana Lala zbardh detaje nga vendimi: Zgjedhjet në Bashkinë Tiranë mund të bëhen vetëm nëse ai dënohet
Në vendimin e saj, Gjykata Kushtetuese i lë hapësirë Këshillit Bashkiak të nisë një procedurë të re për shkarkimin e Veliajt, por vetëm nëse Qeveria arrin të provojë se ai ka kryer shkelje të rënda.
Në të kundërt, zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës mund të zhvillohen vetëm në rast se Veliaj dënohet me vendim të formës së prerë nga GJKKO (Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar).