Ertjan Kofsha nderoi ngjyrat kuqezi në Evropianin e peshëngritjes të zhvilluar në Durrës. Kofsha fitoi dy medalje të bronzta, në shkëputje dhe dy garësh. Megjithatë, sportisti i ri thotë se ky mund nuk po i shpërblehet. Ende nuk i kanë kaluar paratë, për 3 garat e fundit ndërkombëtare ku gjithashtu ka arritur të marrë medalje.
“Këto kohë po na i vonojnë pak. Unë kam kryer kampionatin botëror në maj dhe kam për të marrë shpërblim. Edhe botërorin për të rritur para një muaji. Është edhe evropiani tani, por akoma për asnjërën s’kanë kaluar lekët,”-u shpreh fillimisht Kofsha.
“Shkoi shumë mirë, por unë prisja akoma më shumë nga vetja sepse në palestër kisha bërë rezultate akoma më të mira. U ndryshua pesha dhe u detyrova të bijë dy kilogramë. Unë thyeva edhe 4 rekorde evropiane, diçka e cila është shumë e madhe,”-tha Kofsha.
Presidenti i federatës shqiptare të peshëngritjes thotë se rezultatet në evropianin e të rinjve ishin më të larta se sa pritej.
“Tashmë nuk po synojmë rekordet kombëtare, por me vizionet e saj të qartë Shqipëria synon rekordet evropaine dhe botërore. Siç i bëmë realitet,”-deklaroi Elez Gjoza, president i FSHP.
Bashkë me Ertjan Kofshën në Durrës shkëlqeu Enkileda Carja, e cila fitoi 3 medalje të arta në kategorinë e saj. Gjoza bën premtimin e madh se 17-vjeçarja do të jetë shqiptarja e parë e cila triumfon në Lojërat Olimpike.
“Ne kemi një plan, një projekt, një strategji për këtë vajzë, që për herë të parë në Lojërat Olimpike në Amerikë, një shqiptare padiskutim do të marrë medaljen olimpike,”-tha Gjoza.
Kampionati evropian për të rinj dhe deri në moshën 23 vjeç u zhvillua në Durrës për 8 ditë nga 28 tetori deri më 4 nëntor.