Kampionati Europian i peshëngritjes për junior dhe U-23, që po zhvillohet në Durrës, i ka dhuruar Shqipërisë medaljen e parë, me protagonist Samoel Rrasën.
Peshëngritësi i talentuar, i dalë nga palestra e trajnerit Leonard Toska, fitoi medaljen e bronztë në stilin e shtytjes në kategorinë 65 kg për juniorë, duke ngritur 153 kg. Në shkëputje, Rrasa regjistroi 125 kg, ndërsa me 278 kg në total e mbylli garën në vendin e katërt në dygarësh.
Shqipëria përfaqësohet në këtë Europian me 9 sportistë, mes kategorive juniorë dhe U-23. Vëmendja tashmë përqendrohet te Enkeleda Carja, që garon në kategorinë 69 kg, dhe Antonino Mullisi, i cili synon medalje në kategorinë 75 kg për juniorë.
Carja do të matë forcat me 16 tetor në Baterinë A të peshave 69 kg, me garën që nis në orën 13:00. Me objektiva për medalje futet edhe Antonino Mullisi, i cili sot në orën 17:00 do të garojë në Baterinë A të peshave 75 kg për juniorë.