Pekini ka njoftuar pezullimin për një vit të tarifave doganore portuale “speciale” që ishin vendosur ndaj anijeve amerikane, në një tjetër sinjal pajtimi mes dy fuqive ekonomike më të mëdha në botë. Ministria Kineze të Transportit, bëri me dije se pezullimi hyri në fuqi sot, 10 nëntor.
Tarifat doganore kishin prekur anijet në pronësi ose të operuara nga kompani dhe organizata amerikane, që prej vendosjes së masave ndëshkuese në kulmin e luftës tregtare mes SHBA-së dhe Kinës.
Autoritetet kineze theksuan se vendimi vjen pas takimit mes presidentëve Donald Trump dhe Xi Jinping, ku palët ranë dakord të tërhiqen nga disa masa ndëshkuese dypalëshe.
Industria amerikane e ndërtimit të anijeve ishte dominuese pas Luftës së Dytë Botërore, por ka rënë gradualisht dhe tani përbën vetëm 0.1% të prodhimit global.
Sektori tani dominohet nga Azia, me Kinën që ndërton gati gjysmën e të gjitha anijeve të lëshuara në treg, përpara Koresë së Jugut dhe Japonisë.
Në të njëjtën linjë, Ministria Kineze e Tregtisë njoftoi sot se pezulloi për një vit sanksionet ndaj pesë degëve amerikane të gjigantit korean të ndërtimit të anijeve Hanwha Ocean.
Sanksionet ishin vendosur më 14 tetor, pasi Kina i akuzoi këto kompani për “kontribut në hetime që dëmtonin sovranitetin dhe sigurinë kineze”.