TIRANË- Pasi Gjykata Kushtetuese e la në detyrën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ka urdhëruar nga qelia nisjen e përgatitjeve për festat e fundvitit.
Në dokumentin dërguar Ndërmarrjes së Dekorit dhe Eventeve, të cilin Report Tv e disponon dhe mban firmën e Veliajt, thuhet se duhet të merren masat për vendosjen e ndriçimeve dhe zbukurimeve festive në sheshe, rrugë dhe hapësira publike.
Në dokument theksohet gjithashtu se, në zbatim të vendimit nr. 420, datë 08.06.2006 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, të merren masa për dekorimin e godinave të ministrive sipas kërkesave të institucioneve përkatëse.
Më datë 3 nëntor Kushtetuesja i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. GJK rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë. Kushtetuesja argumentoi se Veliaj nuk u pyet duke iu mohuar një proces i rregullt ligjor, ndërsa theksoi se një kryebashkiak mund të shkarkohet vetëm sipas nenit 115 të ligjit themeltar për një shkelje të rëndë.