Gilmando Dani, 47 vjeç dhe Muçi Shaljani allias Sheqeri, 40 vjeç, sapo kishin mbërritur nga Barcelona në vendin tonë kur ranë pre e një atentati mafioz pranë aeroportit të Rinasit. Të dy po udhëtonin me një mjet luksoz Benz, i bardhë me targa AB 099 UO, kur u qëlluan me breshëri plumbash sapo u larguan nga aeroporti. Dani i njohur edhe si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, i cili ishte edhe objektiv i atentatit, mbeti i vdekur në vend. Ndërsa miku i tij, Shaljani i cili prej 3 mujash shërbente si agjent i AMP-së (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore), po drejtonte mjetin dhe ka marrë plumba në kokë. Aktualisht ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dinamika e atentatit
Ata kishin ikur në Barcelonë më datë 7 nëntor dhe mbërritën në Rinas sot, 11 nëntor, në orën 13:55. Kanë marrë mjetin që e kishin parkuar në parkimin e Rinasit dhe janë nisur drejt destinacionit të tyre. Atentati ka ndodhur 25 minuta më pas, rreth orës 14:20 në rrethrrotullimin e Rinasit, pak metra larg aeroportit, një zonë ku ka një trafik të dendur dhe qarkullimi i mjeteve është shumë i ngadaltë. Një rrethanë që duket se ka ndihmuar vrasësit, për të shënjestruar objektivin e tyre.
Autorët kanë qenë me një mjet Toyota me targa greke dhe e kanë pritur para aeroportit. Në momentin që Dani dhe miku i tij janë larguar nga Rinasi, autorët i kanë ndjekur dhe siç mëson Report Tv dy makinat kanë ecur paralel me njëra-tjetrën. Kur janë afruar pranë rrethit të Rinasit, autorët kanë qëlluar me breshëri plumbash në anën e pasagjerit ku ndodhej Dani. Autorët e donin danin të vdekur me çdo kusht dhe u siguruan që të vdiste. Pasi qëlluan drejt makinës, një nga autorët, me kapele dhe i maskuar, del nga makina dhe i afrohet Benzit duke qëlluar disa herë me pistoletë.
Vetëm pak minuta pas ngjarjes, autorët janë larguar me shpejtësi drejt Fushë-Krujës. Ata kanë ndaluar në fshatin Halil, ku kanë djegur automjetin që përdorën në atentat, në një zonë të pyllëzuar, pranë përroit të Halilit. Distanca mes Rinasit dhe Halilit është vetëm 14 kilometra, çka tregon se atentatorët kanë vepruar me saktësi dhe plan të qartë arratisje. Brenda mjetit të djegur janë gjetur 4 armë që dyshohet se janë përdorur në atentat. Mjeti i djegur është gjetur në të njëjtin vend nga ku është qëlluar në drejtim të hotelit të Edmond Vogës.
Pamjet që siguroi Report Tv nga vendi i ngjarjes tregojnë se mjeti është bërë shoshë nga plumbat, të cilat kanë depërtuar deri tek xhamat e hotelit aty pranë. Efektivët e policisë arritën me vështirësi të thyenin xhamin e makinës nga ana e shoferit, duke përdorur sende të forta, për të hapur më pas derën. Në pamje dallohet se shoferi Shaljani nuk lëviz, por është duke marrë frymë me vështirësi. Ndërsa viktima dallohet me trupin e anuar në brendësi të makinës, nga ana e shoferit, me kokën poshtë. Makina me të cilën po lëviznin Dani dhe agjenti i AMP-së rezulton në pronësi të Elvis Kosovës, i njohur edhe si Visi i Garave, një person i njohur për blutë, të cilit më 24 korrik i vendosën tritol në garazh.
Kush ishte Gilmando Dani?
E shkuara kriminale është pikërisht pista e hetimit për atentatin mafioz që i mori jetën Danit. I njohur si krahu i djathtë i Shullazit, Dani ka një histori të gjatë me ngjarjet kriminale që prej vitit 2006 kur u shpall në kërkim për armëmbajtje pa leje. Gilmando Dani i ka shpëtuar dy atentateve, një në vitin 2011 dhe një tjetër në vitin 2015, kur ishte në shoqërinë e vetë Shullazit. Në tetor 2024 ai është liruar nga burgu pas një vendimi gjykate për liri me kusht për shkak se kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit prej 12 vite burg për “Gjobëvënie”.
U plagos sot në atentatin e Rinasit, Muçi Shaljani 14 vite më parë përplasej me Sajmir Tahirin: E kujt i ha…se je deputet

42-vjeçari Muçi Shaljani (Sheqeri), sot agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në vitin 2011 është bërë protagonist në një ngjarje kur së bashku më vëllanë është konfliktuar fizikisht me deputetin e Partisë Socialiste në atë kohë, Sajmir Tahiri.
Gjithçka ndodhi 20 metra larg Ministrisë së Brendshme, në një protestë paqësore të Forumit Rinor të opozitës.
28 vjeçari Mustafa Sheqeri ka pohuar në atë kohë në një intërvistë për Shqiptarja.com se është telefonuar nga i vëllai i tij Shemsiu, i cili i ka thënë që të vinte urgjentisht se po shkatërrohej dyqani.
Fillimisht Sajmit Tahiri i është prezantuar 28 vjeçarit Sheqeri se ai ishte deputet ndërsa përgjigja ishte, “e kujt i ha.. se ti je deputet”.
Vrasja në Rinas/ Reagon policia e Krujës, gjenden 4 armë zjarri brenda automjetit të djegur
“Krujë
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të zonës, në fshatin Halil, kanë konstatuar duke u djegur një automjet tip “Toyota”, që dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur në Rinas.
Në automjet janë konstatuar 4 armë zjarri që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.
Armët do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore.
Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”, njofton policia.
DETAJET e atentatit në Rinas/ Autorët u siguruan që Dani të vdiste, pasi breshërisë nga mjeti, njëri zbriti dhe qëlloi disa herë në drejtim të Benzit
Vrasja në Rinas/ Autorët dogjën automjetin në një përrua në Fushë Krujë, i njëjti vend nga u qëllua drejt hotelit të Edmond Vogës
Është po i njëjti vend që përdorën autorët për të qëlluar në drejtim të hotelit ë pronësi të Edmond Vogës disa kohë më parë. Sakaq, Fushë Kruja është blinduar nga forca të shumta policie, ndërsa e paqartë është fakti sesi autorët kanë arritur të pashqëtësuar të vijnë nga Rinasi drejt Fushë Krujës dhe të kalojnë pranë Komisariatit të Krujës, që ndodhet në afërsi të vendit ku u gjet automjeti i djegur.
Atentati pranë aeroportit të Rinasit, Policia e Lezhës ngre postoblloqe në disa akse kryesore për kapjen e autorëve
Strukturat e rendit në këtë qark kanë ngritur pika kontrolli në disa akse kryesore rrugore, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve të mundshëm.
Burime nga policia bëjnë me dije se po verifikohet çdo automjet i dyshimtë që qarkullon në zonë, ndërsa janë përfshirë edhe shërbime të forcave operacionale.
U plagos në atentatin në Rinas, Report Tv siguron foton e Muçi Shaljani (Sheqeri), prej 3 muajsh shërbente si agjent i AMP
Shaljani ishte kthyer ditën e sotme nga Barcelona së bashku me viktimën Gilmando Danin, pasagjer në automjet.
U ekzekutua në atentatin mafioz, krahu i djathtë i Shullazit erdhi sot nga Barcelona! Autorët e zunë në pritë pak pasi u largua nga aeroporti
Pak metra pasi janë larguar nga aeroporti, autorët i kanë zënë në pritë duke qëlluar me breshëri plumbash.
Automjeti me të cilin po udhëtonte Shaljani dhe viktima Gilmando Dani, është me targa AB 099UO, në pronësi të Elvis Kosovës, të cilit disa muaj më parë i është vendosur një tritol në garazhin në Tiranë.
Atentati pranë aeroportit të Rinasit, reagon policia: Kemi ngritur pika kontrolli për kapjen e autorëve
Rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëviznin shtetasit M. Sh., rreth 40 vjeç dhe G. D., rreth 47 vjeç.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. D. dhe është plagosur shtetasi M. Sh., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetsore.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë punën për kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Atentati me 1 të vrarë dhe 1 të plagosur në Rinas, atentatorët djegin makinën në fshatit Halil të Krujës (VIDEO)
Forca të shumta të policisë dhe të RENEA-s ndodhen aktualisht në terren, duke kontrolluar zonën për të lokalizuar autorët. Distanca mes Rinasit dhe Halilit është vetëm 14 kilometra, çka tregon se atentatorët kanë vepruar me saktësi dhe plan te qarte arratisje.
Si ndodhi atentati pranë aeroportit të Rinasit! Autorët me ‘Toyota’ me targa greke qëlluan me breshëri plumbash drejt Benzit luksoz
Mjeti luksoz ku udhëtonte Gilmando Dani
Gilmando Dani ishte duke udhëtuar me një mjet luksoz ngjyrë të bardhë bashkë me një person tjetër kur ranë pre e një atentati mafioz pranë aeroportit të Rinasit. Autorët ishin me një mjet Toyota me targa greke dhe më pas janë larguar në drejtim të Fushë Krujës. I janë afruar Benzit nga ana e pasagjerit, ku ndodhej Dani dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash. Ai humbi jetën, ndërsa shoferi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe dyshohet se ka marrë plumba në kokë.
Atentati në Rinas, Report Tv siguron fotot e viktimës brenda mjetit luksoz! Benzi në pronësi të Elvis Kosovës
Në këtë foto të siguruar nga Report Tv, shihet viktima e atentatit në Rinas, Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit. Ai ishte pasagjer në këtë mjet luksoz, Benz ngjyrë i bardhë, kur autorët qëlluan me breshëri plumbash.
Automjeti me targa AB 099UO, në pronësi të Elvis Kosovës, të cilit disa muaj më parë i është vendosur një tritol në garazhin në Tiranë.
Miku i tij shofer, Muçi Shaljani allias Sheqeri ka marrë plumba në kokë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
U vra në atentat, kush është Gilmando Dani dhe çfarë e lidh me Emiljano Shullazin?! I shpëtoi dy atentateve në vitin 2011 dhe 2015! Si prishi mitingun e PS-së në 2011
47-vjeçari Gilmando Dani, një personazh i njohur si mik i ngushtë i Emiljano Shullazit, ka një histori të gjatë të lidhur me ngjarje kriminale, që nga viti 2006. Ndaj tij rëndon një dënim me 12 vite burg për gjobëvënie, i dënuar në kuadër të grupit kriminal të drejtuar nga Shullazi. I gjithë grupi i Shullazit u dënua me 55 vite burg në vitin 2018, ndërsa arrestimi ishte bërë i mundur në vitin 2016.
Në tetor 2024 ai është liruar nga burgu pas një vendimi gjykate për liri me kusht për shkak se kishte kryer pjesën më të madhe të dënimit prej 12 vite burg për “Gjobëvënie”.
Gilmando Dani i ka shpëtuar dy atentateve, një në vitin 2011 dhe një tjetër në vitin 2015, kur ishte në shoqërinë e vetë Shullazit.
Duke qenë gjithnjë “nën hundën” e policisë, Dani është arrestuar shpesh për vepra penale. Më 23 prill 2011, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve lokale atë kohë, Gilmando Dani u shoqërua në Policinë e Tiranës pasi ndodhej në vendin e ngjarjes ku Emiljano Shullazi pengoi një miting të Partisë Socialiste në Njësinë Bashkiake Nr. 7 në kryeqytet. Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kërkoi ndërhyrjen e policisë, e cila ndaloi Shullazin dhe shoqëroi Gilmando Danin.
Në nëntor të 2011 Gilmandi Dani dhe Emiljano Shullazi arrestohet për armëmbajtje pa leje. Në makinë është gjetur vetëm një pistoletë, ndërkohë që policia arrestoi dy persona, si Danin dhe Shullazin. Pas kësaj, Dani ka marrë autorësinë e pistoletës dhe se në gjykatë, Shullazi ka marrë pafajësi.
Sipas informacioneve precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për armëmbajtje pa leje dhe “kanosje në bashkëpunim”. Arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat, bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe D. Hate.
Atentati në afërsi të aeroportit të Rinasit, Report Tv siguron pamjet! Policia thyen xhamin e ‘Benzit’ luksoz për t’i dhënë ndihmën të plagosurit, viktima brenda në automjet