Në fjalën e mbajtur në këtë tryezë, ministri Lamallari tha se drafti aktual më shumë është komentuar sesa është njohur. Ai vuri theksin te integriteti i procesit dhe nevoja për të garantuar punën e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes.
Kodi i ri Penal, Lamallari me shoqatat e mediave: Garantojmë punën e gazetarëve dhe lirinë e shprehjesMinistri i Drejtësisë, Besfort Lamallari
Në Ministrinë e Drejtësisë u zhvillua sot një tryezë konsultative për draftin e Kodit të ri Penal. Krahas ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari, ishin të pranishëm kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, dekani i Fakultetit të Histori Filologjisë, Mark Marku, kreu i grupit të punës për Kodin Penal, Arben Rakipi, përfaqësues të shoqatave të mediave, organizatave të shoqërisë civile, gazetarë dhe përfaqësues të Këshillit të Evropës.
Në fjalën e mbajtur në këtë tryezë, ministri Lamallari tha se drafti aktual më shumë është komentuar sesa është njohur. Ai vuri theksin te integriteti i procesit dhe nevoja për të garantuar punën e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes.
“Ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për neovjën për të garantuar punën e gazetarëve, në mënyrë që ata ta ushtrojnë plotësisht lirinë e tyre të shprehjes duke mbajtur përgjegjës zyrtarët. Sigurisht kjo e shkruar mirë në raport me të dhënat, me faktet dhe duke shmangur mundësinë për abuzim, për elementë të qëllimshëm keqdashës dhe të pabazuar në deklaratat e tyre. Unë besoj fort se më shumë sesa është njohur, ky draft Kodi Penal është komentuar. Komentet e ndryshme që janë bërë mbi të janë të natyrave të ndryshme, të qëllimeve të ndryshme që mbështesin këto komente. Rruga e duhur është një proces sa më gjithëpërfshirës dhe transparent, ku gjithësecili është duke ushtruar detyrën e tij dhe përgjegjësinë qytetarë për të forcuar më tej demokracinë e vendit të tij. Ne mund të japim përvojat tona dhe ekspertizën tonë”, tha ministri Lamallari.
Në vijim të fjalës së tij, Ministri i Drejtësisë theksoi se synimi final është që të kemi një produkt që të reflektojë nevojat e shoqërisë, t’i rezistojë kohës dhe të ketë referenca standardet më të mira ndërkombëtare.
“Në fund të kemi një produkt që është shumatorja e të gjithë mendimeve të shprehura mbi bazë të përvojave dhe dijes që kemi akumuluar, duke bërë edhe referencat me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare. Për Ministrinë e Drejtësisë integriteti i procesit është i panegociueshëm. Ne duhet të kemi një proces sa më të hapur, të shëndetshëm, konstruktiv dhe që nxit debatin. Ajo që del më pas nga ky produkt është niveli i emancipimit të shoqërisë shqiptare dhe vizionit të përbashkët për të pasur një demokraci më të fortë, një shtet dinjitoz pjesë e familjes evropiane”, deklaroi ministri Lamallari.
Tryezat konsultative për draftin e Kodit të ri Penal do të vijojnë edhe me aktorë e grupe të tjera interesi sipas një kalendari të dakordësuar më herët.