Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka lënë në fuqi vendimin për ish-kryebashkiakun e Pogradecit Eduard Kaprin, dhe dy ish-zyrtarët Besimira Niko dhe Besjan Meço.
Më 27 shkurt ish-kryebashkiaku demokrat i Pogradecit u dënua me 1 vit e 6 muaj burg nga GJKKO për akuzën e ‘Shpërdorimit të detyrës’. Gjykata urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe e vendosi ish të zgjedhurin vendor në shërbim prove për dy vite me radhë. Si dënim plotësues, gjykata i hoqi të drejtën të ushtrojë funksione publike për 5 vite.
Me 1 vit e 4 muaj shërbim prove dhe heqje e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite u dënuan edhe dy ish-zyrtarët Besmira Niko dhe Besjan Meço.
Më 14 tetor të vitit të kaluar ish kryebashkiaku demokrat Eduart Kapri u mor si pandehur nga SPAK, nën akuzë se me ndihmën e dy zyrtarëve të tij lejoi përfundimin e punimeve të pezulluara të pallatit 12 katësh të shoqërisë Gedi sh.p.k, ku ai vetë ka qenë adminstrator.
Pasi fitoi zgjedhjet për kryetar bashkie firmën e kaloi në emër të të vëllait. Jo vetëm kaq, por pallati që ishte 12 katësh në lagjen nr 3 të Pogradecit, u bë dhe me 2 kate shtesë, pra 14 kate.
Njoftimi i plotë
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Nertina Kosova (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Saida Dollani (anëtare), sot më datë 11.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 54 akti, datë 25.06.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurve/ankues E.K., B.M., B.N. si dhe ankimin e ankuesit A.H., ndaj vendimit nr. 18, datë 27.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 18, datë 27.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Mospranimin e ankimit të nr. 373, datë 20.06.2025, ndaj vendimit nr. 18, datë 27.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të ankuesit A.H.
3. Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht.
4. Kundër këtij vendimi lejohet ankim sipas ligjit.
5. U shpall në Tiranë, sot më datë 11.11.2025.