Paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë në muajin janar. Prej vitit të ardhshëm asnjë punonjës si në shtet ashtu edhe në privat nuk duhet të ketë pagë më të ulët se 50 mijë lekë në muaj.
Aktualisht në vend, gati 35% e të punësuarve paguhen deri në vlerën 50 mijë lekë në muaj, dhe praktikisht e gjithë kjo kategori përfiton. Janë më shumë se 300 mijë përfitues të rritjes së pagës minimale, dhe që janë të përjashtuar edhe nga tatimi mbi pagat.
Për të shmangur rritjen e kostove për sipërmarrjen private e cila është e detyruar që prej 1 janarit të vitit të ardhshëm të zbatojë pagën e re minimale, qeveria do të paguaj kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore me një kosto prej 10 milionë euro.
Pavarësisht kësaj rritje, që është e cila do të jetë e 6-ta nën drejtimin e socialistëve, ajo nuk do të jetë e fundit. Deri në 2029-ën qeveria ka premtuar rritje të pagës deri në 70 mijë lekë në muaj.
Kjo rritje e rrogës minimale gjykojnë ekspertët bëhet për të amortizuar kostot e inflacionit ndër vite, si dhe për të mbajtur fuqinë punëtore në vend, pasi prej vitesh tashmë vendi vuan për punonjës. Aktualisht janë 6 mijë vende të lira pune të shpallura nga bizneset për profesione nga elementaret deri tek ato më të kualifikuara.
SHQIPËRIA DHE RAJONI PËR PAGËN AKTUALE MINIMALE
Megjithëse rroga minimale në Janar të vitit 2026 do të rritet, përsëri renditja në raport me rajonin do të jetë e ulët, duke ndikuar në fuqinë konkurruese të rajonit.
Me pagën aktuale Shqipëria lë pas vetëm Kosovën. Por edhe me rritjen që pritet në janar, përsëri vendi do të renditet i katërti mes gjashtë shteteve, pasi kryeson Mali i Zi me pagë minimale aktualisht 670 euro, Serbia 618 euro dhe Maqedonia e Veriut 584 euro.
SHTETI ME PAGA MË TË LARTA SE PRIVATI
Për herë të parë në vitin 2026 pagat e shtetit do të indeksohen me normën e inflacionit.
Paga mesatare në sektorin privat aktualisht është në vlerën 77.137 lekë, ndërsa në sektorin publik ka arritur në 99.525 lekë, pra rreth 22 mijë lekë më shumë paguhen punonjësit e administratës në raport me stafet e bizneseve private.
Brenda këtij mandati qeveria parashikon që pagën mesatare të administratës publike ta çojë në vlerën e 112 mijë lekë, pasi do të rriten pagat për një sërë kategorish, nga mësuesit, mjekët e përgjithshëm, infermierët e deri tek inspektorët, komisarët apo drejtuesit e thjeshtë.
Pagat në shtet janë rritur shpejt për shkak të reformës së pagave që nisi në vitin 2022 dhe u finalizua në vitin 2024. Përmes kësaj reforme paga mesatare mujore e sektorit nga 68,245 lekë që ishte në fund të gjashtëmujorit të parë të 2022-shit, arriti në 99,525 lekë në qershor të këtij viti. Pra është rritur me 31,280 lekë.
Por ky ritëm nuk u ndoq nga sektori privat. Rroga mesatare nga 57,327 lekë në muaj në vitin 2022, arriti në 77,137 lekë këtë vit, pasi rritja brenda 3 vitesh në sektorin privat ishte 19,810 lekë mesatarisht.
Pagat në ‘kthetrat’ e nëndeklarimit
Diferenca e madhe e pagave shtet-privat, në kushtet kur privati duhet të jetë më konkurrues se shteti, për ekspertët lidhet direkt me fenomenin e nëndeklarimit të pagave. Fenomeni i dhënies së një pjese të pagës në dorë, e tjetrën në bankë, po ndikon negativisht jo vetëm në kontributet që paguajnë qytetarët për sigurimet e tyre, por nga ana tjetër pengon edhe zbulimin e pagave reale në vend.
Vetëm nga një aksion i nisur nga tatimet vitin e kaluar, zbuloi se gati 240 mijë punonjës ishin me paga të nëndeklaruara, fenomen i përhapur thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Pavarësisht aksioneve kundër nëndeklarimit të pagave nga bizneset apo rritjes së tyre të detyruar nga mungesa e punonjësve, shifrat e INSTAT, tregojnë se pjesa më e madhe e punonjësve nuk e arrijnë pagën mesatare as të përgjithshme prej 83.906 lekë/muaj.
Referuar shifrave të Institutit të Statistikave gati 47.4% e të punësuarve, paguhen deri në 60 mijë lekë në muaj, më pas, 25.5% marrin paga nga mbi 60 mijë lekë deri në 95 mijë lekë dhe pjesa tjetër 27.1% paguhen mbi 950 euro.