Sot në Bruksel mbahet konferenca e 7-të ndërqeveritare me BE-në për hapjen e grupkapitullit të fundit të negociatave “Bujqësia dhe Kohezioni”. Delegacioni shqiptar kryesohet nga kryeministri Edi Rama, ndërsa në tryezë do të jenë komisionerja Marta Kos dhe ministrja daneze e Punëve të Jashtme, Marie Bjerre.
Mbrëmë është hapur në Bruksel edhe godina e Misionit të Shqipërisë në BE. Në ceremoninë e hapjes, komisionerja Kos vlerësoi përparimin e Shqipërisë dhe tha se e ndjen veten si një ambasadore të Shqipërisë në Bruksel, ndërsa shtoi se detyra e saj është që ta bëjë vendin tonë pjesë të shtëpisë së BE-së.
“E ndjej veten… ndjesë, si ambasadoren e katërt të Shqipërisë këtu në Bruksel. Po ju po jepni rezultate. Arsyeja e dytë është se ju nuk po flisni vetëm, ju po realizoni. Ne shohim veprat.”, duke e mbyllur më tej fjalën: “Kjo është shtëpia juaj e re”. Detyra ime është t’ju sjell ju, Shqipërinë, në shtëpi, në Europë.”
Kryeministri Rama theksoi se dikur në Bruksel “binte shi e bënte ftohtë”, duke iu referuar ndasive në qëndrime, ndërsa tashmë është ndryshe me mbështetjen e madhe që po jep unioni.
“Dikur, kur vinim, binte shi e bënte ftohtë jashtë dhe binte shi e bënte ftohtë brenda. Tashmë është ndryshe. Çfarëdo të ketë jashtë, brenda bën ngrohtë dhe është plot energji pozitive, fytyra pozitive dhe buzëqeshje të këndshme.”, tha Rama.
Deri më tani Shqipëria ka hapur pesë nga gjashtë grupkapitujt negociues: Themeloret, Marrëdhëniet me Jashtë, Tregun e Brendshëm, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen gjithëpërfshirëse, si edhe Axhendën e Gjelbër. BE ka shprehur optimizëm se vendi mund ta përmbyllë procesin e integrimit deri në vitin 2030, ndërsa kryeministri Rama e ka shpallur anëtarësimin si prioritet kryesor të mandatit të tij të katërt qeverisës.
Procesi negociues ka vijuar me ritme të shpejta që prej 19 korrikut 2022, kur Shqipëria u ul në konferencën e parë ndërqeveritare dhe çeli zyrtarisht negociatat. Më 15 tetor 2024, nën presidencën hungareze, në Luksemburg u mbajt konferenca e dytë ndërqeveritare ku u hap grupkapitulli i parë, ai i Themeloreve, ndërsa më 17 dhjetor të të njëjtit vit nisën bisedimet për kapitullin e dytë, Marrëdhëniet me Jashtë.
Në prill dhe maj 2025 u hapën përkatësisht grupkapitulli i Tregut të Brendshëm dhe ai i Konkurrueshmërisë dhe Rritjes gjithëpërfshirëse, ndërsa më 15 shtator 2025 Shqipëria çeli bisedimet për grupkapitullin e pestë, Axhendën e Gjelbër.
Konferenca e sotme, e shtata me radhë, është e fundit në ciklin e hapjes së të gjashtë grupkapitujve dhe pritet të hapë rrugën për përmbylljen e procesit teknik deri në vitin 2027. Pas kësaj faze, vendi do të hyjë në procesin politik të integrimit, që kërkon miratimin e anëtarësimit nga parlamentet e të 27 shteteve të BE.
Hapet në Bruksel godina e Misionit të Shqipërisë pranë BE! Kos: E ndjej veten si ambasadore e Shqipërisë! Rama: Dikur ishte shi e ftohtë, sot është ndryshe
Marta Kos: E ndjej veten… ndjesë, si ambasadoren e katërt të Shqipërisë këtu në Bruksel. Po ju po jepni rezultate. Arsyeja e dytë është se ju nuk po flisni vetëm, ju po realizoni. Ne shohim veprat. Nuk jua shpreh dot sa e lumtur jam kur kam mundësi të shpjegoj me fakte që ju keni bërë një përparim vërtet gjigant dhe është e gjitha falë punës suaj. Më pëlqen gjithnjë ta theksoj, nuk ka asnjë proces anëtarësimi pa një udhëheqje të përkushtuar, që nuk i kthehet së shkuarës duke kërkuar të gjejë justifikime se pse diçka është e pamundur, por ju keni një udhëheqje ose keni një udhëheqës, i cili sheh nga e ardhmja që të shquajë apo të kërkojë arsyet e përgjigjet se pse diçka është e mundur. Ky është – dhe do thoja mos më citoni – ky është një nga dallimet më të mëdha midis Shqipërisë dhe disa shteteve të tjera nga Ballkani Perëndimor. Sigurisht, i dashur Kryeministër, i dashur Edi, e kam fjalën për ju dhe do ta mbyll duke thënë: “Kjo është shtëpia juaj e re”. Detyra ime është t’ju sjell ju, Shqipërinë, në shtëpi, në Europë.
Edi Rama: Dikur, kur vinim, binte shi e bënte ftohtë jashtë dhe binte shi e bënte ftohtë brenda. Tashmë është ndryshe. Çfarëdo të ketë jashtë, brenda bën ngrohtë dhe është plot energji pozitive, fytyra pozitive dhe buzëqeshje të këndshme. Nuk jemi mësuar me këtë, Marta, ndaj është e jashtëzakonshme më në fund ta përjetosh këtë gjë, që është e vazhdueshme gjatë gjithë vitit dhe po bëhet e përhershme. Dua t’ju falënderoj të gjithëve sinqerisht që jeni këtu dhe të falënderoj sinqerisht e me gjithë zemër për punën secilin prej jush.