Kombëtarja U-21 fitoi të hënën edhe miqësoren e dytë të nëntorit ndaj Ukrainës U-21 me rezultatin 2-0. Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje shumë të mirë në “Elbasan Arena” dhe golat e fitores i shënuan Ermir Rashica dhe Gjergji Kote.
Trajneri Alban Bushi e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Simon Simoni (GK), Elton Fikaj, Ervin Bashi, Gabriel Ramaj, Feta Fetai (C), Burak Alili, Ermir Rashica, Etnik Brruti, Aidon Shehu, Arlind Kurti, Fabjan Përndreca.
Ndeshja nisi shumë mirë për Shqipërinë, që u hodh menjëherë në sulm. Ishte Rashica që tentoi i pari në minutën e 5-të me një goditje të bukur. Sërish Rashica provoi në minutën e 12-të me një tjetër goditje të rrezikshme, por u ndal nga portieri kundërshtar. Kuqezinjtë ishin të vendosur mirë në mbrojtje dhe shmangën çdo rrezik.
Shqipëria mori avantazhin në minutën e 39-të me Ermir Rashicën, i cili përfitoi brenda zonës dhe dërgoi topin në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll 1-0.
Fraksioni i dytë nisi në të njëjtën mënyrë për kuqezinjtë, të cilët ishin të vendosur mirë në prapavijë dhe u shfaqën rrezikshëm në portën kundërshtare me kundërsulme të shpejta. Trajneri Bushi kreu dy zëvendësimet e para në minutën e 65-të. Nga loja dolën Brruti dhe Rashica, ndërsa u aktivizuan Kevin Dodaj dhe Rrok Toma.
Deri në fund të ndeshjes, kuqezinjtë administruan shumë mirë ndeshjen dhe në kohën shtesë shënuan edhe golin e sigurisë me Gjergji Koten. Një aksion shumë i bukur i nisur nga Dodaj dhe i finalizuar nga Kote.
Dy fitore në ndeshjet miqësore të nëntorit për Kombëtaren U-21 ndaj Moldavisë dhe Ukrainës. Testet miqësore janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë U-21, pasi janë pjesë e përgatitjeve për Europianin U-21 2027.
Pas ndeshjes, trajneri i kuqezinjve, Alban Bushi, u shpreh i lumtur dhe njëkohësisht i befasuar për paraqitjen.
“Jemi të kënaqur. Dy ndeshje, dy fitore, nuk është se nuk i kishim menduar. Gjithmonë futemi për t’i fituar ndeshjet. Po mënyra se si erdhi kjo e dyta, jam i lumtur sepse luanim me një kundërshtar shumë të fortë. Ukraina është një nivel shumë i lartë, ekip i rangut të Gjermanisë, goxha më mirë se ne.
Jam shumë i kënaqur nga ekipi, dua t’i falënderoj sepse vrapuan dhe luftuan shumë. Por dua të falënderoj edhe lojtarët e tjerë që nuk luajtën dhe që nuk pata mundësi t’i fusja në lojë. Ne pavarësisht se luajmë miqësore, përqasjen e bëjmë sikur është kualifikuese sepse këto janë si kualifikuese për ne.
Dhe dua që ta kuptojnë edhe lojtarët vetë që ne i duam fitoret. Intensiteti i lojës ishte shumë i lartë dhe në pjesën e dytë nuk pata mundësi të bëj shumë ndërrime. Jam shumë i lumtur sepse kur e sheh që ekipi lufton e sakrifikon dhe kanë qëllim që të mbrojnë rezultatin, ne ndihemi mirë. Ukraina na vuri në vështirësi sidomos pjesën e dytë, ishin më të freskët se ne. Bëmë një përqasje shumë të mirë, do të vazhdojmë kështu sepse jemi rritur goxha në çdo aspekt”, tha Alban Bushi.