Zona evropiane (UEFA) mbylli fazën kualifikuese të grupeve për në Botërorin 2026, i cili verën që vjen (nga 11 qershori – 19 korrik) do mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Tanimë janë mësuar të gjitha skuadrat evropiane (12) që kanë siguruar një biletë si kokat e grupeve, si dhe 16 skuadrat që do përballen në play-off.
Për Grupin B, Kosova dhe Zvicra barazuan 1-1 në Prishtinë. Paçka se shiu ishte shoqërues për më të shumtën e ndeshjes, në “Fadil Vokrri” djemtë e Franco Fodës i dhanë një mësim futbolli helvetëve. Miqtë kaluan të parët në epërsi me golin e Vargas në fillim të pjesës së dytë (47′), kjo pas një gabimi të prapavijës Dardane. Megjithatë, Kosova reagoi dhe kontrolloi fraksionin e dytë. Supergoli i Florent Muslisë në minutën e 74-t vendosi ekuilibrat, ndërsa fërshëllima kishte për Granit Xhakën. Kapiteni i Zvicrës doli nga fusha në minutën e 75-të mes kundërshtive dhe duartrokitjeve, ndërsa pas ndeshjes tha se ‘nuk e priste një reagim të tillë në shtëpi’. Në fund, Zvicra me 14 pikë mban kreun e Grupit B, ndërsa Kosova si e dyta shkon në play-off.
Në Grupin C ndodhi një dramë e vërtetë, për ata që janë me zemër të fortë. Në Glasgow, Skocia mposhti 4-2 Danimarkën duke i marrë kreun e grupit dhe biletën për fazën finale të Kupës së Botës 2026. Ndeshja u vendos në minutat shtesë, me danezët që do provojnë gjithçka nga faza play-off. Skocia kaloi e para në epërsi me McTominay pas vetëm tre minutave lojë, ndërsa miqtë barazuan me Hojlund në minutën e 57-të me penallti. 12 minuta nga fundi, Shankland riktheu avantazhin momental për skocezët, teksa Dorgu barazoi për miqtë në minutën e 81-të, (2-2).
Me këto shifra Skocia nuk kishte çfarë humbiste dhe u hodh në sulm. Tierney në minutën e tretë shtesë (90+3′) shënoi nga jashtë zone për të ‘çmendur’ në festë gjithë Skocinë. Më pas vendasit, duke përfituar edhe nga dalja në sulm e Danimarkës, “vulosën” shifrat 4-2 me golin nga 50 metra të McLean.
Me 13 pikë Skocia e mbylli grupin në vendin e parë, duke lënë pas Danimarkën e cila kalon në play-off. Danezët mund të fajësojnë veten për barazimin 2-2 në shtëpi kundër Bjellorusisë katër ditë më parë. Kështu, Skocia gjen finalet e Kupës së Botës pas 28 vitesh, që nga Francë 1998.
Në Grupin E, Spanja dhe Turqia barazuan 2-2 në Sevilla. Olmo shënoi për vendasit pas katër minutave lojë, ndërsa turqit përmbysën me Gul dhe Ozcan, para se Oyarzabal të barazonte. Spanja me 16 pikë merr biletën e finaleve, ndërsa Turqia me 13 pikë do provojë shansin nga play-off.
Emocione edhe në Grupin H. Në Vienë, Austria dhe Bosnjë Hercegovina barazuan 1-1. Ballkanasit kaluan në epërsi me Tabakovic pas 12 minutave lojë, ndërsa Gregoritsch barazoi për vendasit 13 minuta nga fundi. Me 19 pikë Austria si e para e Grupit H shkon në Botëror, ndërsa Bosnjë Hercegovina me 17 pikë do provojë shanset në play-off.
Në Grupin J, Belgjika mposhti 7-0 Lihtenshtajnin me golat e Vanaken, dopietën e Doku, Mechele, Saelemaekers dhe dopietën e De Ketelaere.
Skuadrat nga Europa që janë në fazën finale të Kupës së Botës 2026: Kroacia, Anglia, Franca, Norvegjia, Portugalia, Holanda, Gjermania, Austria, Belgjika, Zvicra, Skocia dhe Spanja.
Në fazën play-off do garojnë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Çekia, Danimarka, Irlanda, Italia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, Polonia, Rumania, Sllovakia, Suedia, Turqia, Ukraina dhe Uellsi.
Grupet kualifikuese, zona UEFA:
Grupi B
Kosovë 1-1 Zvicër
Suedi 1-1 Slloveni
Grupi C
Bjellorusi 0-0 Greqi
Skoci 4-2 Danimarkë
Grupi E
Bullgari 2-1 Gjeorgji
Spanjë 2-2 Turqi
Grupi H
Austri 1-1 Bosnjë dhe Hercegovinë
Rumani 7-1 San Marino
Grupi J
Belgjikë 7-0 Lihtenshtajn
Uells 7-1 Maqedoni e Veriut
Ndarja e vazove play-off për shortin e të enjtes:
Vazo 1: Itali, Danimarkë, Turqi, Ukrainë
Vazo 2: Poloni, Uells, Çeki, Sllovaki
Vazo 3: Irlandë, Shqipëri, Bosnjë Hercegovinë, Kosovë
Vazo 4: Suedi, Rumani, Maqedoni e Veriut, Irlandë e Veriut
Kosova e kishte siguruar fazën play-off për Kupën e Botës 2026, teksa i duhej të fitonte 6-0 kundër Zvicrës për t’i marrë kreun e grupit. Polemika për fërshëllimat kundër Granit Xhakës në Prishtinë.
Për Grupin B kualifikues të Kupës së Botës 2026, Kosova dhe Zvicra barazuan 1-1 në Prishtinë. Paçka se shiu ishte shoqërues për më të shumtën e ndeshjes, në “Fadil Vokrri” djemtë e Franco Fodës i dhanë një mësim futbolli helvetëve. Miqtë kaluan të parët në epërsi me golin e Vargas në fillim të pjesës së dytë (47′), kjo pas një gabimi të prapavijës Dardane.
Megjithatë, Kosova reagoi dhe kontrolloi fraksionin e dytë. Supergoli i Florent Muslisë në minutën e 74-t vendosi ekuilibrat, ndërsa fërshëllima kishte për Granit Xhakën.
Kapiteni i Zvicrës doli nga fusha në minutën e 75-të mes kundërshtive dhe duartrokitjeve, ndërsa pas ndeshjes tha se nuk e priste një reagim të tillë në shtëpi.
“Jam definitivisht i befasuar, është gjëja e fundit që kam pritur, posaçërisht këtu në shtëpi. Të them të drejtën, kjo më dhemb, por duhet ta pranoj dhe të përqendrohem te futbolli”, u shpreh Xhaka.
Në fund, Zvicra me 14 pikë mban kreun e Grupit B, ndërsa Kosova si e dyta shkon në play-off.