U hodh këtë të enjte në selinë e FIFA-s shorti për ndeshjet gjysmëfinale dhe finalet e mundshme play-off të Kupës së Botës 2026, event që zhvillohet verën që vjen në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Shqipëria do përballet në ndeshjen e parë kundër Polonisë në udhëtim, ndërsa po në udhëtim Kosova luan kundër Sllovakisë. Short i lehtë për Italinë, që gjen në përballjen e parë Irlandën e Veriut, teksa nëse fiton, në finale përballet me fituesin e çiftit Uells – Bosnjë Hercegovinë, në udhëtim.
Kombëtarja shqiptare e futbollit do luajë kundër Polonisë në gjysmëfinalen play-off për një vend në finalet e Kupës së Botës 2026. Ndeshja e parë për djemtë e Sylvinhos do jetë në transfertë, teksa nëse dalin fitues në ndeshjen teke do përballen në finalen play-off kundër fituesit të çiftit Ukrainë – Suedi. Sërish goglat kanë vendosur që nëse tanët kalojnë më tej, edhe finalen play-off do e luajnë në udhëtim.
Përfaqësuesja e Kosovës do përballet me Sllovakinë në gjysmëfinalen play-off. Dueli i parë për Dardanët do luhet në udhëtim, ndërsa nëse fiton ndeshjen, gjen në finalen play-off fituesin e çiftit Turqi – Rumani. Nëse luan në finale, Kosova i pret rivalët në “Fadil Vokrri” të Prishtinës. Në ndeshjet e tjera bien në sy përballjet Danimarkë – Maqedoni e Veriut apo Çeki – Irlandë.
Ndeshjet gjysmëfinale të play-off do luhen më 26 mars 2026, ndërsa pesë ditë më vonë, më 31 mars 2026 luhen ndeshjet finale, me një takim, nga ku do mësohen katër skuadrat që do marrin një biletë për në fazën finale të Kupës së Botës 2026.
Në play-off ndërkontinentale, Republika Demokratike e Kongos pret fituesin e çiftit Kaledonia e Re – Xhamajka. Ndërsa Iraku luan në finalen play-off me fituesin e Bolivi – Suriname.
Të gjithë ndeshjet janë me një përballje dhe në rast barazimi gjatë 90 minutave, skuadrat i drejtohen shtesës prej 30 minutash dhe nëse është e nevojshme edhe penalltive.
Deri në këto momente janë kualifikuar 42 kombëtare dhe gjashtë të tjera do dalin nga faza play-off. Katër ekipe dalin nga zona evropiane (UEFA), ndërsa dy skuadrat e tjera nga play-off ndërkontinental.
Botërori 2026 do zhvillohet verën që vjen nga 11 qershori – 19 korrik dhe për herë të parë në fazën finale që do mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada, do marrin pjesë 48 skuadra.
Rezultatet e shortit:
Faza play-off ndërkombëtare
Kaledonia e Re – Xhamajka vs Republika Demokratike e Kongos
Bolivia – Suriname vs Irak
Faza play-off, zona UEFA – Ndeshjet gjysmëfinale
Italia – Irlandë e Veriut
Ukrainë – Suedi
Turqi – Rumani
Danimarkë – Maqedoni e Veriut
Uells – Bosnjë Hercegovinë
Poloni – Shqipëri
Sllovaki – Kosovë
Çekia – Irlandë
Përballjet finale të fituesve
Uells – Bosnjë Hercegovinë vs Italia – Irlandë e Veriut
Ukrainë – Suedi vs Poloni – Shqipëri
Sllovaki – Kosovë vs Turqi – Rumani
Çeki – Irlandë vs Danimarkë – Maqedoni e Veriut
Gattuso: Irlanda e Veriut ekip fizik që nuk dorëzohet! Chiesa? Problemi i tij, jo imi
Italia luan kundër Irlandës së Veriut në gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026. Nëse të kaltrit fitojnë, atëherë do e kërkojnë biletën për në finalet e Botërorit duke mposhtur fituesin e çiftit Uells – Bosnjë Hercegovina.
Për të komentuar rivalin, pas shortit foli trajneri i Italisë, Gennaro Gattuso. Ai tha se Irlanda e Veriut është e kalueshme, teksa komentoi edhe gjendjen e Federico Chiesas, i cili vuan nga një lëndim.
“Gjysmëfinalja kundër Irlandës së Veriut? Ata janë një ekip fizik që nuk dorëzohet. Ne duhet të konkurrojmë, kjo është ajo që kam thënë për tre muaj. Po e shohim të ardhmen me besim. Detyra ime është të qëndroj në kontakt me djemtë, të flas me ta për gjëra që nuk lidhen vetëm me futbollin.
Nëse jeni afër lojtarëve, a mund të mendoni edhe për zgjidhje të ndryshme?
Problemi nuk është taktik dhe të gjitha formacionet kanë pro dhe kundër. Tani duhet të punojmë mbi dobësitë tona në mënyrë që të mos pësojmë më shumë gola si ato kundër Norvegjisë. Do t’i studiojmë kundërshtarët tanë, si do t’u qasemi atyre dhe do të përpiqemi t’u shkaktojmë sa më shumë dëm të jetë e mundur.
A mund të jetë Chiesa një ‘armë’ shtesë? A po prisni ta keni atë?
Problemi është i Chiesas, e dini mirë këtë. Unë gjithmonë e telefonoj, flas me të para se të zgjedh listën, por problemi nuk është se Gattuso nuk e sheh, problemi është i tij”, deklaroi ai.
Në Poloni e marrin seriozisht, trajneri Urban: Të mos ankohemi, ndaj Shqipërisë jemi favoritë
Trajneri i Polonisë, Jan Urban komentoi përballjen play-off të Kupës së Botës kundër Shqipërisë.
“Mendoj se nuk duhet të ankohemi. Luajmë ndeshjen e parë në shtëpi dhe jemi favoritë. Sigurisht në një ndeshje të vetme mund të ndodhë gjithçka, por duhet të shfrytëzojmë fushën tonë për të shkuar në finalen e play off-it.
Shumë lojtarë të Shqipërisë luajnë kryesisht në Serinë A. Sylvinho vjen nga një kulturë futbolli teknik dhe kështu luan edhe skuadra e tij. Por do t’i analizojmë. Kemi kohë të mjaftueshme dhe këto katër muaj janë shumë në futboll,” shtoi Urban për “Meczyki”.
Armand Duka: S’prisja surpriza, nuk doja një përballje me Uellsin dhe Italinë
Në shortin e play-off-it të hedhur sot në selinë e FIFA-s në Zyrih, FSHF u përfaqësua nga Presidenti Armand Duka dhe trajneri i kombëtares, Sylvinho. Shqipëria do të përballet në gjysmëfinale me Poloninë dhe në rast suksesi, në finale do të luajë ndaj ekipit fitues të çiftit Ukrainë – Suedi.
Presidenti Duka foli për fshf.org dhe komentoi shortin.
“Polonia? E para, jam shumë i lumtur që jemi në short për play-off të Kupës së Botës. Nuk prisja që të kishte ndonjë dhuratë. Janë të gjithë ekipe të forta. Në vazon e dytë kundërshtarët e mundshëm për mua ishin të gjithë të fortë. Polonia është një skuadër me të cilën kemi luajtur në 2-3 vitet e fundit. Gjithsesi është shumë e fortë, me një nga yjet e futbollit europian. Por, ne do të tentojmë shanset tona. Duhet të përqendrohemi maksimalisht te Polonia dhe të shpresojmë për ta kaluar.
Finalja e mundshme, ndaj Ukrainës ose Suedisë? Unë nuk kam pasur asnjë lloj dëshire që para se të vinim se kë nga katër kundërshtarët e vazos së dytë do të doja në grup. Ashtu siç erdhën punët në short, nuk do më pëlqente vazo e parë, që ishte një ndeshje në Uells dhe e dyta kundër një kundërshtari të mundshëm si Italia. Të tjerët më duken të gjithë shumë të fortë. Ne në letër nuk jemi skuadra favorite për ta kaluar këtë play-off, por gjithsesi do të bëjmë maksimumin. Futbolli nuk është matematikë, është lojë që ka shumë të papritura, ka emocione dhe unë shpresoj shumë që ne t’i dhurojmë sportdashësve tanë emocione pozitive”, tha Duka.
70 vite pa fitore, si Sylvinho shkarkoi trajnerin e Polonisë! Shqipëria 2 suksese në 15 takime kundër polakëve
Kombëtarja shqiptare e futbollit “peshkoi” Poloninë në gjysmëfinalen play-off të Kupës së Botës 2026. Përballja teke do luhet në Poloni, ndërsa dueli i 26 marsit 2026 do jetë i 16-ti mes tyre në histori.
Bilanci flet për polakët që kanë fituar në dhjetë takime, tre duele janë mbyllur në barazim, ndërsa dy herë ka fituar Shqipëria. Fitorja e parë e tanëve kundër Polonisë daton më 29 nëntor 1953 në një miqësore të zhvilluar në “Qemal Stafa”. Kuqezinjtë fitonin 2-0 me golat e Loro Boriçit dhe Refik Resmjas në minutat 12-të dhe 35.
Ndërkohë fitorja e dytë daton më 10 shtator 2023 (70 vite më vonë), kur në “Air Albania” të Tiranës ekipi i Sylvinhos fitonte po 2-0 me golat e Jasir Asanit dhe Mirlind Dakut, për të konsoliduar pozitat në grupin që na çoi në finalet e Euro 2024.
Pas humbjes në Tiranë, Polonia tre ditë më vonë shkarkoi trajnerin portugez Fernando Santos.
Sylvinho pas shortit: Pres një Poloni tjetër, e meritojmë këtë vend
Poloni – Shqipëri, kjo do jetë ndeshja gjysmëfinale e play-off për Kombëtaren. Pas shortit, nga Zyrihu foli edhe trajneri Sylvinho. Trajneri i Kombëtares tha se pret një tjetër Poloni, ndryshe nga debutimi i tij me Shqipërinë.
“Polonia? Fillimisht, e kemi merituar shumë që të jemi këtu edhe një herë tjetër. Tani luhet futboll. Po flisja me shumë të tjerë, italianë dhe përfaqësues të tjerë. Në futboll, për 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë. E njohim mirë skuadrën kundërshtare, por edhe ata na njohin mirë gjithashtu. Luhet futboll, përgatitet ndeshja dhe ecim përpara. Pres një Poloni tjetër nga ajo që jemi përballur vite më parë.
Finalja e mundshme, ndaj Ukrainës ose Suedisë? Janë të gjitha skuadra të forta, Polonia fillimisht, por edhe nga ana tjetër dy kundërshtarë të fortë. Ukrainën e njohim tashmë nga Nations League, ndërsa ndaj Suedisë kemi zhvilluar një miqësore. Janë skuadra të forta, me lojtarë të fortë. Janë katër skuadra shumë të forta”, tha trajneri brazillian i Shqipërisë.
Kombëtarja e Sylvinhos dy ndeshjet e play-off i luan në udhëtim
Kombëtarja shqiptare e futbollit do luajë kundër Polonisë në gjysmëfinalen play-off për një vend në finalet e Kupës së Botës 2026, që zhvillohen verën që vjen në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Ndeshja e parë për djemtë e Sylvinhos do jetë në transfertë, teksa nëse dalin fitues në ndeshjen teke do përballen në finalen play-off kundër fituesit të çiftit Ukrainë – Suedi. Sërish goglat kanë vendosur që nëse tanët kalojnë më tej, edhe finalen play-off do e luajnë në udhëtim.
Sa kushtojnë ekipet e play-off-it? Shqipëria vlen 88 milionë euro, Italia kryeson me 846 mln euro! Befason Kosova
16 kombëtare europiane do të vijojnë garën në fazën “play-off” me synimin për të siguruar një nga katër biletat e fundit drejt Kupës së Botës 2026. Së fundmi, faqja e specializuar ‘Transfermarkt’ ka publikuar renditjen e plotë të skuadrave, të bazuar në vlerën e kartonëve të lojtarëve.
Shqipëria vlerësohet me 88 milionë euro, ku dy nga emrat më të çmuar janë Armando Broja dhe Kristjan Asllani, të cilët përfaqësojnë pjesën më të rëndësishme të vlerës së tregut për kombëtaren kuqezi. Me këtë shifër, Shqipëria renditet në vendin e 12-të ndër 16 skuadra pjesëmarrëse.
Përpara kuqezinjve pozicionohet Kosova, e cila arrin një vlerë totale prej 131 milionë euro, falë lojtarëve si Edon Zhegrova dhe Fisnik Asllani, duke lënë pas ekipe si Rumania, Irlanda e Veriut, Bosnja-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.
Në krye të listës qëndron bindshëm Italia, e cila është ekipi më i shtrenjtë i fazës play-off me plot 846 milionë euro. Vetëm Alessandro Bastoni, me vlerë rreth 80 milionë euro, kushton thuajse sa e gjithë kombëtarja shqiptare e marrë së bashku.