Klima po bëhet sfiduese për Shqipërinë, jo vetëm për strukturat e emergjencave por edhe për buxhetin që kërkohet për t’u menaxhuar.
Pas zjarreve që dukej se nuk kishin fund verën e këtij viti apo përmbytjeve aktuale, qeveria ka vendosur të shtojë më shumë fondet në dispozicion të Emergjencave Civile për vitin e ardhshëm. Buxheti i vitit 2026, për këtë strukturë që është nën përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes rritet me 43.5% në raport me buxhetin e këtij viti.
Janë afro 53 milionë euro që do të kenë në dispozicion Emergjencat Civile për t’iu përgjigjur, zjarreve, përmbytjeve apo sfidave të tjera natyrore, nga 36.8 milionë euro që kishte për këtë vit. Pra planifikimi buxhetor është rritur me 16 milionë euro, pasi edhe sfidat klimatike po bëhen edhe më prezente.
Edhe bashkitë marrin më shumë para sa i takon administrimit të pyjeve, ujitjen e kullimin, si dhe për mbrojtjen nga zjarri. Janë 40 milionë euro që jepen si transfertë nga buxheti i shtetit për këto tre funksione, nga 36.7 mln euro këtë vit.
“Në qoftë se këto sektorë do mbeten me këto transferta të pakushtëzuara teje të limituara, atëherë do kemi këto ndrysh këto probleme, këto sfida për të cilën bashkitë do jenë në kushte të pamundësisë për t’i dalë përpara dhe për të përballuar zjarret, përmbytjet apo që lidhet me ndryshimet klimatike”, thotë Agron Haxhimali, Drejtori i Institutit për Bashkitë Shqiptare.
Buxheti i vitit 2026, – thotë eksperti Agron Haxhimali, – edhe pse është më i larti që ka shkuar ndonjëherë për bashkitë, përsëri nuk adreson 3 probleme kryesore.
“Ky buxhet të fokusohet kryesisht në tre drejtime kryesore që janë ujitja dhe kullimi, rrugët rurale, pyjet dhe kullotat. Janë tre sektorë që në këto 10 vite kanë ngelur jashtë mase pa vëmendje, kanë ngelur pa investimet e duhura. Si pasojë e një buxheti të limituar në këto tre sektorë, kemi zjarre, përmbytje, kemi një ekonomi rurale shumë të dobët”, thotë Agron Haxhimali.
Rreziku që i kanoset ekonomisë nga fatkeqësitë natyrore vitet e fundit po ngrihet si sfidë në shumicën e raporteve të institucioneve të huaja dhe vendase. Në raportin vjetor 2024 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit thuhet se më shumë zjarre pritet të shtohen, e po ashtu edhe përmbytjet apo erozionet për shkak të ndryshimeve të forta klimaterike.
K.B/r.k./Shqiptarja.com