Partizani po përballet me një situatë të paprecedent. Pas vëzhgimit rezulton se asnjëherë tjetër në historinë e tyre, të kuqtë nuk kanë pasur bilanc më negativ se tani në shtatë javët e para.
Konkretisht janë pesë humbje, një barazim dhe një fitore. Bëhet fjalë për 4 pikë në total. Po ashtu është regjistruar edhe një tjetër rekord negativ në histori sa i përket shtatë javëve të para. Plot 17 gola të pësuar, ndërsa me 9 të shënuar japin golavarazhin -8.
ALBERT XHANI- Vëzhgimi i “Panorama Sport” sjell në vëmendje dy sezonet më të errëta në elitë, kur rezulton edhe se Partizani ra nga kategoria. Asokohe ishte president Albert Xhani, me të cilin klubi provoi rënien edhe pse fillimi i sezonit nuk ishte po kaq i keq sa tani. Në sezonin 1999/00 rezultojnë 6 pikë të grumbulluara në shtatë javët e para, teksa në edicionin 2008/09 bëhet fjalë për 5 pikë të grumbulluara. Nisja më negative në histori tashmë i përket këtij sezoni, pikërisht 2026/27 me 4 pikë.
ECURIA- Sa i përket ecurisë, por që prej rikthimit në elitë në vitin 2013, 4 pikë në shtatë ndeshje radhazi të kampionatit nuk rezulton të jetë bilanci më negativ për Partizanin. Të kuqtë nuk fituan asnjë nga tetë ndeshjet radhazi të fazës së katërt në edicionin e kaluar. Ishin tre barazime dhe pesë humbje që dhanë vetëm 3 pikë. U pësuan 18 gola, ndërsa u shënuan 7 të tillë duke prodhuar golavarazhin -11. Partizani dështoi në çdo objektiv për shkak të asaj ecurie.
MERKATO- Pavarësisht se Partizani e mbylli me dramë në edicionin e kaluar, vendosi të mos futej fuqishëm në merkato. U afruan vetëm Alesio Mija, Omar Pasagiç, Altin Aliu dhe Endri Çelaj. Së fundmi u bashkua Sebastjan Spahiu. Në anën tjetër ka mbetur kujtimi i 16 largimeve nga sezoni që lamë pas. Nga afrimet janë aktivizuar rregullisht vetëm Aliu dhe Mija. Kjo tregon se klubi besoi që drama e fazës së katërt në edicionin e kaluar ishte edhe pjesë e rastësisë. Në anën tjetër janë të njëjtit lojtarë që tashmë në fazën e parë të këtij sezoni, po përsërisin veten.
“FATI”- Situata shfaqet alarmante pasi çdo rekord është thyer me këtë fillim. Fatmirësisht për kryeqytetasit, vetëm një ekip do të bie menjëherë nga kategoria në garën me dhjetë skuadra. Kështu të kuqtë kanë mjaftueshëm kohë për t’u organizuar dhe shmangur tragjedinë. Teuta dhe Egnatia që mbajnë respektivisht dy vendet e para, aktualisht shikohen me “dylbi” pasi vendi i parë është 15 pikë larg. Për rivalët e tjerë, të kuqtë janë ende në kohë që të reagojnë. Rumuni Florin Bratu u largua dhe drejtimi i është besuar kroatit Mislav Karoglan.
NGA JANARI 2025- Dy vitet e fundit tregojnë rënie të Partizanit. Deri në fundin e vitit 2024, të kuqtë ishin konkurrues. Pas largimit të titullarëve si Arinaldo Rrapaj, Tedi Cara, Kristian Mba dhe Andi Hadroj, kryeqytetasit nuk e morën veten. Humbën vendin e parë në renditje dhe prej janarit të vitit 2025 ka patur vetëm rënie.
NISJET MË NEGATIVE DHE SEZONET MË TË ERRËTA NË SUPERIORE
-Sezoni 1999/00, Partizani e mbylli në vendin e fundit(14) dhe ra nga kategoria. Pas 7 javëve të para ishin 6 pikë të regjistruara. 8 gola të pësuar dhe 7 të shënuar, golavarazhi -1.
-Sezoni 2008/09, Partizani ra nga kategoria përmes “play out”. Gjatë sezonit u pozicionua në vendin e dhjetë nga 12 skuadra. Pas shtatë javëve të para ishin 5 pikë të grumbulluara. Me 7 gola të pësuar dhe 4 të shënuar, golavarazhi ishte -3.
-Sezoni 2026/27, Partizani mban vendin e fundit pas shtatë javëve të para. Janë 4 pikë të regjistruara dhe 17 gola të pësuar si asnjëherë tjetër. Golavarazhi është -8, për shkak të 9 golave që janë shënuar.