Një ngjarje serioze është regjistruar mbrëmjen e së shtunës në zonën e Kolonosit në Greqi, ku një i ri ka mbetur i dëmtuar rëndë pas një përplasjeje me automjet.
Sipas të dhënave zyrtare të Policisë greke (ELAS), incidenti ndodhi rreth orës 22:00, në kryqëzimin e rrugëve Pylou dhe Platonos, pas një konflikti personal mes dy shtetasve.
Një 27-vjeçar, me origjinë nga Shqipëria, dyshohet se e ka goditur qëllimisht me automjet një 22-vjeçar, raporton noa.al.
I riu i dëmtuar u transportua menjëherë me ambulancë në spitalin KAT, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor për një dëmtim serioz në këmbë.
Pak kohë pas ngjarjes, efektivët e ekipit DIAS lokalizuan drejtuesin e mjetit në zonën e Kallitheas, duke ndërhyrë për sqarimin e plotë të rrethanave të incidentit.
Një dëshmitar okular duke folur për newsit.gr tha: “Rreth orës 22:00 isha ulur këtu, pranë kishës, dhe pashë një makinë që po vinte, me një vajzë brenda, dhe që u përplas mbi një person që po rrinte ulur në një lloj rampe, duke e rrëzuar në tokë.
Nga sa mësuam, dy ose tre persona e kishin goditur më herët atë, dhe ai e gjeti njërin prej tyre këtu, ndaj edhe e përplasi me makinë. E la makinën këtu dhe u largua. Djali, nga sa pamë, nuk u dëmtua shumë rëndë.
Rreth 10 minuta më vonë erdhën disa persona të tjerë dhe e shkatërruan makinën me të cilën ishte goditur i riu. Më pas erdhi policia dhe, përpara se të mbërrinte, ata u zhdukën.”
Autoritetet kanë nisur procedurat ligjore për rastin, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. I riu u arrestua dhe akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë.