Transporti publik dhe ai privat në Prishtinë do të qëndrojë i bllokuar edhe këtë të hënë, pasi punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë po vazhdojnë protestat për shkak të mospagesave dhe bllokimit të buxhetit të Komunës.
Kryesindikalisti Elmi Gashi konfirmoi për Klankosova.tv se protesta do të rifillojë nga ora 10:00 deri në 12:00, duke bllokuar aksin nga ndërtesa e Qeverisë deri te Komuna e Prishtinës.
Gashi shtoi se demonstratat nuk do të ndalen derisa fondet të kalojnë në llogaritë e ndërmarrjes dhe operatorëve privatë. Bllokimi i buxhetit ka shkaktuar krizë të thellë në transportin publik.
Që nga 24 nëntori, “Trafiku Urban” ka ndalur punën në shenjë pakënaqësie ndaj mosshlyerjes së pagave të punëtorëve dhe borxheve ndaj furnitorëve, situatë që erdhi si pasojë e moszhbllokimit të buxhetit komunal nga Ministria e Financave.
Javën e kaluar, punëtorët dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama marshuan drejt Qeverisë për të kërkuar zhbllokimin e financave të kryeqytetit.
Ndërkohë, Asambleja Komunale votoi pro bartjes së 28 milionë eurove nga viti 2024 në 2025.
Kryetari Rama i ka kërkuar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, lirimin e të hyrave vetanake dhe granteve komunale, të cilat arrijnë në 35 milionë euro.