Dinamo dhe Egnatia dhuruan një ndeshje mjaft të bukur në “Air Albania”, aty ku rrogozhinasit fituan me rezultatin 1-2. Veç ndeshjes, natyrisht kishte edhe momente interesante si në fushën e blertë, ashtu edhe në tribuna e në pankinat respektive, Dinamo-Egnatia. Në “Air Albania” ka shumë pak tifozë dhe më shumë se brohoritjet e tyre, dëgjohen lojtarët në fushë duke folur me njëri-tjetrin.
– Ilir Daja dhe stafi janë të pakënaqur me vendimet e Xhajës i cili ndëshkon trajnerin dhe Kalarin për protesta.
– Tifozët kanë inatin me Aleksin. Ato pak tifozë të Dinamos që ishin përballë, disa herë nisën ofendime në kor për lojtarin.
– Tetova i operuar pak ditë më parë në zemër, duket se nuk mund të rrijë larg skuadrës dhe ishte në pankinë. Gjatë ndeshjes drejtoi Brahja por disa herë në fushë doli edhe Tetova.
– Pasi mbyllet pjesa e parë marrin të verdhë Bernard Berisha dhe Kalari për protesta ndaj Xhajës.
– Dinamo ngec sërish në 2 ndeshje dhe nuk arrin të fitojë ndeshjen e tretë radhazi.
– Duke parë temperaturat e ftohta, dy ekipet fillojnë nxehmje që në minutat e para.
– Në tribunë ishte edhe Baton Zabërgja, një ish-lojtar i Dinamos që sezonin e fundit shkëlqeu me fanellën blu.
– Të pranishëm në tribunë, ishin edhe lojtarë të Partizanit, por edhe ish-lojtarë si Tedi Cara apo Arinaldo Rrapaj.
– Gjyqtari i katërt shqetëson shpesh herë Dajën duke i kërkuar që të qëndrojë brenda zonës teknike. “Ku e keni marrë këtë, ça ka ky”, i drejtohet Daja delegatit të ndeshjes. Më pas, në këmbë çohen edhe Glen Daja dhe Ilir Bozhiqi për të dhënë udhëzime.
– Disa herë ka tension në fushë mes lojtarëve dhe nuk mungojnë as kontaktet fizike megjithatë gjakrat qetësohen shpejt, pa lejuar që të agravojë situata dhe të ketë ndëshkime më të rënda.