Katari është përfshirë në një polemikë të re, pasi një hetim i publikuar nga gazeta britanike ‘The Telegraph’ pretendon se autoritetet e futbollit në vend organizuan një fushatë për të siguruar mbështetje të madhe në tribuna gjatë ndeshjeve të Kupës së Botës 2026.
Sipas raportimit, rreth 2,000 persona përfituan paketa falas për të ndjekur ndeshjen e fazës së grupeve kundër Bosnjës. Paketat përfshinin akomodim në hotel, bileta për ndeshjen dhe bileta avioni, me një kosto që arrinte në disa mijëra euro për person.
Pjesëmarrësit thuhet se morën gjithashtu një komplet me fanellën e kombëtares së Katarit, shall, flamur dhe syze dielli. Hetimi pretendon se disa prej tyre nuk kishin ndjekur kurrë më parë një ndeshje futbolli në stadium.
Gjithçka nisi në ndeshjen e parë të turneut me rreth 1,000 tifozë të sponsorizuar, ndërsa për sfidën vendimtare ndaj Bosnjës numri u rrit në rreth 2,000. Sipas ‘The Telegraph’, në këtë nismë u përfshinë edhe mbështetës që jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Meksika.
Fillimisht, plani i Federatës së Futbollit të Katarit ishte të ftonte tifozët më besnikë dhe studentët nga Katari që jetojnë në SHBA dhe Meksikë, por projekti u zgjerua më vonë për të përfshirë shumë më tepër persona.
Pavarësisht kësaj mbështetjeje të supozuar, Katari nuk arriti të shmangte eliminimin, pasi u largua nga Kupa e Botës që në fazën e grupeve. Vlen të theksohet se pretendimet janë publikuar nga ‘The Telegraph’ dhe deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Federata e Futbollit e Katarit lidhur me këto akuza.