Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të hënë, ku një automjet tip BMW është djegur në Qafën e Llogarasë, në zonën që të çon drejt antenave. Brenda makinës është gjetur trupi i një personi të djegur.
Sipas burimeve të sigurta, viktima është Artjon Xhelo, 28 vjeç, ish-efektiv i Policisë së Shtetit.
I riu ishte me origjinë nga Ura Vajgurore, Berat, ndërsa mësohet se në vitin 2023 kishte dhënë dorëheqjen nga strukturat e policisë, për arsye që ende nuk janë bërë publike.
Burime pranë grupit hetimor konfirmojnë se 28-vjeçari dyshohet se i ka dhënë fund jetës, duke i vënë zjarr automjetit në të cilin ndodhej. Po sipas të njëjtave burime, Artjon Xhelo vuante prej kohësh nga gjendje depresive, megjithatë shkaqet dhe rrethanat që çuan në këtë akt të rëndë mbeten ende të paqarta.
Autoritetet policore kanë nisur hetimet e thelluara për të zbardhur plotësisht ngjarjen, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore, e cila pritet të hedhë më shumë dritë mbi shkakun e vdekjes dhe dinamikën e ngjarjes.
Deri në këto momente, Policia e Shtetit nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare përfundimtare, ndërsa rasti ka shkaktuar reagime dhe ka vënë në vëmendje çështjen e shëndetit mendor.
Në vendngjarje kanë mbërritur fillimisht shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, ndërsa automjeti është shkrumbuar plotësisht. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:35, ndërsa viktima është gjetur në sediljen e drejtuesit të mjetit.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Informacion paraprak. Rreth orës 14:35, pas një njoftimi të marrë në sallën operative të DVP Vlorë, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendit të quajtur “Qafa e Llogarasë”, ku kanë konstatuar një automjet duke u djegur. Brenda automjetit dyshohet se si pasojë e zjarrit, ka humbur jetën dhe është djegur një shtetas ende i paidentifikuar, në sediljen e drejtuesit të mjetit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për identifikimin e viktimës dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.