Mazhoranca paralajmëron ta çojë në dyert e drejtësisë kaosin që përfshiu seancën plenare. Në emër të grupit parlamentar, zëdhënësja Erjona Ismaili, tha se Partia Socialiste do të kërkojë marrjen e masave disiplinore për 29 deputetë të opozitës.
Për Belind Këlliçin, Fidel Kreta, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata kërkohet 60 ditë përjashtim nga aktivitetet parlamentare pasi kanë futur në parlament dhe kanë përdorur lëndë apo mjete piroteknike dhe tymuese, referuar këtu flakadanëve të ndezur në seancë. Deputetët Flamur Noka dhe Klevis Balliu janë përjashtuar gjatë seancës plenare pas kaosit që krijuan dhe gjuhës joparlamentare të përdorur. Ndaj tyre mazhoranca kërkon përjashtimin për 60 ditë.
Për deputeten Elda Hoti është kërkuar të përjashtohet me 30 ditë nga aktivitetet e Kuvendit pasi ka dëmtuar pajisjet e parlamentit, referuar shkuljes së mikrofonave dhe ka goditur punonjësit e Gardës, thuhet në kërkesën e PS-së. Gjithashtu për 30 ditë kërkohet dhe përjashtimi i Gazment Bardhit dhe Sali Berishës, për të cilët mazhoranca thotë se anë penguar zhvillimin e rregullt të seancës dhe kanë thyer Kodin e Sjelljes me gjuhën e përdorur.
PS ka kërkuar përjashtimin me 10 ditë të deputetëve esart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi pasi kanë penguar zhvillimin e rregullt të seancës, kanë shkaktuar kaos dhe kanë dhunuar punonjësit e Gardës.
Me 10 ditë kërkohet dhe përjashtimi i deputetëve Edi Paloka, Ina Zhupа, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti, pasi kanë penguar zhvillimin e seancës parlamentare.
Mazhoranca thotë se ky skenar i zhvilluar ditën e sotme u organizua nga drejtues të Partisë Demokratike. Disa flakadanë u ndezën nga opozita, shishe dhe ujë që u hodhën në drejtim të kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi e punonjësve të Gardës, prishja e mikrofonëve, zaptimi i karrigeve të ministrave dhe gjuha joparlamentare e përdorur, janë disa prej episodeve të Parlamentit sot.