Përpos rrëshqitjeve masive të dherave sa herë që bie shi, rruga Qukës – Qafë Plloçë tashmë ka pësuar dhe çarje përgjatë segmentit në lotin e 2-të. Çarjet e rrugës janë hasur në afërsi të kthesës së fshatit Trebinjë. Traseja ka pësuar dëmtime në pjesën qendrore çka ka sjellë dhe nevojën e orientimit të qarkullimit në një korsi.
E inauguruar në fillim të shtatorit 2025, rruga Qukës–Qafë Plloçë kushtoi 260 milionë euro dhe janë dashur 16 vite për ta ndërtuar.
Kjo rrugë herë pas here ka pasur problematika të shumta sa i përket rrëshqitjeve të dherave dhe shkëmborëve nga skrapatat gjë që ka çuar në bllokimin e rrugës duke ngritur pikëpyetje për cilësinë e punimeve dhe studimin gjeologjik.
Firma kontraktore ndodhet në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa pritet ndërhyrja e Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili është njoftuar për problematikën e konstatuar.