Gjykata Themelore e Prizrenit ka njoftuar se sot në orën 14:00 janë caktuar seancat dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë për 109 personat e arrestuar si të dyshuar për dallaveret me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Gjykata Themelore në Prizren, njofton mediat se me datë sot me datë 24.01.2026, në Gjykatën Themelore në Prizren, nga ora 14:00, janë caktuar seancat dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë, për rastin në të cilin me datë 23.01.2026, janë ndaluar 109 persona lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale kundër të drejtës së votimit”, thuhet në njoftim.
Gjykata ka bërë të ditur se ky njoftim vlen vetëm për kohën kur do të mbahet seanca dëgjimore.
Si rezultat i manipulimeve të ndodhur me votat e kandidatëve për deputetë, të gjitha qendrat e votimit kanë shkuar në rinumërim.
Sipas rezultateve të deritanishme, devijimet brenda partive janë me mijëra vota. Në PDK është numri më i madh i votave të manipuluara, pastaj LVV e LDK.