Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq gjashtë persona për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë në kalim të paligjshëm të kufijve, në kuadër të një skeme që synonte drejtimin e shqiptarëve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt pagesës 35,000 euro.
Të pandehurit janë: Hazir Maçi, Lejla Maçi, Çerkez Nikoçi, Ardjan Pirani, Alfred Maçi, Endrit Nezaj. Hetimet kanë treguar se H.M., i hetuar më parë për aktivitete të ngjashme, ka organizuar kalimin e disa shtetasve shqiptarë përmes Karaibeve dhe Porto Rikos, duke përdorur dokumente të falsifikuara për të arritur në SHBA dhe Kanada.
Sipas prokurorisë:
Hazir Maçi dyshohet se ka falsifikuar dokumente dhe ka ndihmuar në kalimin e paligjshëm të kufijve, duke përdorur edhe dy numra telefonikë nga paraburgimi për të komunikuar me bashkëpunëtorët e tij.
Lejla Maçi, bashkëshortja e tij, ka marrë pjesë në udhëtimet dhe organizimin e procesit, duke përfshirë edhe vëllain e saj, Ardjan Pirani,, në menaxhimin e porosive të udhëtimit.
Endrit Nezaj, punonjës i një agjencie turistike, ka ndihmuar duke vënë në dispozicion foto të dokumenteve të huaj për prodhimin e dokumenteve false.
Çerkez Nikoçi, shofer automjeti, ka transportuar dokumente të falsifikuara.
Alfred Maçi ka dhënë pasaportën e tij britanike si model për prodhimin e dokumenteve të tjera për kalime të paligjshme.
Prokuroria tha se të pandehurit do të gjykohen për veprat penale të “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikim i dokumentit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, si dhe për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, në rastin e H.M.
Materialet janë dërguar pranë gjykatës për veprime të mëtejshme ligjore.