Transferimi i Kristjan Asllanit drejt kampiontit turk ku pritet të aktivizohet me Beshiktashin është vetëm çështje ditësh.
Konfirmimin zyrtar e ka dhënë edhe vetë presidenti i klubit turk, Serdal Adali, i cili është shfaqur sot para mediave në një konferencë të gjatë për shtyp, ku është ndalur edhe mbi çështjen e mesfushorit që do të afrohet nga Interi.
“Kristjan Asllani po vjen. Ne kemi arritur një akord me Interin dhe me lojtarin. Ka një proces të mbylljes së akordit mes Interit dhe Torinos. Ai do të mbërrijë sot në darkë ose nesër në mëngjes”, ishin fjalët e Adali. Sipas informacioneve që dihen deri tani, Beshiktash do të paguajë rrogën e Asllanit për pjesën e mbetur të sezonit, ndërsa ka një klauzolë prej rreth 11 milionë eurosh për blerjen e tij në fund të këtij edicioni.
Por Asllani nuk ishte shqiptari i vetëm për të cilin u fol sot. Presidenti i Beshiktashit u ndal edhe te emri shumë i diskutuar i Ernest Muçit, i cili është dhënë huazim me të drejtë blerje te Trabzonspor ku po shkëlqen me golat e tij.
“Trabzonspori nuk na ka kontaktuar ne në lidhje me Muçin. Trabzonspori ka një klauzolë me të drejtë blerje. Ata kanë një akord me lojtarin në momentin që firmosi kontratën. Nëse ata nuk e aktivizojnë klauzolën, Muçi do të mbetet lojtari ynë dhe do të luajë për ne”, theksoi presidenti i Beshiktashit.