Egnatia është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes së rëndësishme që do të zhvillojë ditën e diel në shtëpi përballë Tiranës.
Një përballje që në kampin kampion vlerësohet maksimalisht, jo vetëm për peshën e kundërshtarit, por edhe për momentin pozitiv që bardheblutë po kalojnë në javët e fundit. Tirana vjen si një skuadër e etur për pikë dhe me objektiva të qarta, çka e bën sfidën edhe më delikate për rrogozhinasit.
Pikërisht për këtë arsye, mobilizimi në kampin e Egnatias është maksimal. Stafi teknik dhe lojtarët janë të ndërgjegjshëm se në këtë fazë të sezonit nuk ka vend për hapa fals, sidomos në ndeshjet e luajtura në shtëpi. Çdo pikë ka peshë të madhe dhe çdo gabim mund të ketë pasoja direkte në garën për titull, ndaj përgatitjet janë fokusuar jo vetëm në aspektin taktik, por edhe në atë psikologjik.
PRESIONI RRITET – Duke qenë se Egnatia kryeson renditjen pas 21 javësh kampionat, situata në pamje të parë duket e qetë. Megjithatë, presioni sa vjen dhe rritet, pasi çdo skuadër që ndodhet në majë të klasifikimit është nën lupën e rivalëve. Çdo hap i gabuar, sidomos në shtëpi, mund ta fusë ekipin në një ngërç psikologjik, që në këtë fazë të sezonit është i vështirë për t’u menaxhuar. Kjo është pikërisht ajo që Egnatia kërkon të evitojë me çdo kusht. Trajneri Edlir Tetova i konsideron këto javë si vendimtare për fatin e sezonit dhe kërkon nga skuadra e tij vazhdimësi rezultatesh dhe mentalitet fitues. Mesazhi është i qartë: ndeshjet në shtëpi duhet të kthehen në një fortesë të vërtetë dhe pikët nuk duhet të vihen në diskutim.
OBJEKTIVI – Përballë Tiranës nuk ka asnjë objektiv tjetër përveç fitores. Vendi i parë është një mision që duhet ruajtur me çdo kusht dhe kjo arrihet vetëm duke marrë maksimumin në përballjet e mbetura, veçanërisht në shtëpi. Egnatia e di mirë se ka lëshuar pikë në disa ndeshje gjatë këtij edicioni dhe synimi është që këto gabime të mos përsëriten në një moment kaq të ndjeshëm të garës. Sfida me Tiranën shihet si një test i vërtetë force dhe pjekurie për kampionët. Një fitore jo vetëm që do të forconte pozitat në krye të renditjes, por do të dërgonte edhe një sinjal të fortë për rivalët. Në Rrogozhinë pritet një ndeshje e fortë, me intensitet dhe rivalitet, ku Egnatia synon të tregojë se është gati të mbrojë fronin deri në fund.