.
Dy orë marshim dhe sulm me molotovë ndaj institucioneve dhe efektivëve. Protesta e Partisë Demokratike nuk solli asnjë risi, pa fjalime dhe me një përplasje që kulmoi mes militantëve dhe efektivëve pranë Kuvendit. Protesta nisi në orën 18:45, me kreun e PD Sali Berisha që bashkë me militantët marshuan nga selia blu drejt Kryeministrisë. Kësaj radhe flamujt e SHBA-së, kupola drejtuese e PD-së ishte kujdesur që t’i zëvendësonte me ato të BE-së dhe të Gjermanisë. Një simbol i akuzave se Gjermania po bllokon rrugën e Shqipërisë drejt BE-së për shkak të mbrojtjes që Rama i bëri Belinda Ballukut.
Ndryshe nga herët e tjera, grupi i zjarrit i përdori molotovët që në nisje të protestës, ndërsa ende në megafon po përcilleshin mesazhet dhe thirrjet për qeveri teknike e largimin e kryeministrit Edi Rama. Ky moment ishte i papritur edhe për policët, të cilët reaguan menjëherë me gaz lotsjellës dhe me ujë.
Protestuesit u nisën drejt bllokut të ministrive në sheshin “Skëndërbej”, ku për herë të parë, pas shkarkimit të Belinda Ballukut, u hodhën molotovë edhe në drejtim të Ministrisë së Infrastrukturës, institucion i cili deri më tani nuk ishte sulmuar asnjëherë nga militantët e Berishës.
Protestuesit tentuan të sulmojnë edhe selinë e Partisë Socialiste, por një kordonin i policisë nuk i lejoi që molotovët të depërtonin drejt godinës. Bombat molotov ranë edhe përballë Bankës së Shqipërisë me një prej militantëve që sulmoi një makinë të policisë. Nga aty, protestuesit marshuan mes për mes ish-Bllokut, por nuk u ndalën në Vilën 31, e cila në protestën e kaluar ishte objekt i sulmeve që i rrezikuan jetën edhe artistëve.
Përleshja u zhvendos pranë AKSHI-t, por edhe këtu kordoni i policisë nuk i lejoi militantët që të hidhnin molotovët drejt institucionit dhe përfunduan vetëm në rrethimin e ambasadës italiane. Tentativa për të rrethuar Kuvendin nuk u lejua nga Policia, e cila kishte ngritur kordon pranë xhamisë të Namazgjasë dhe nuk i lejoi të depërtojnë. Kjo irritoi militantët e Sali Berishës, të cilët nisën përplasjen e ashpër dhe hodhën molotovë në drejtim të efektivëve.
Protesta u zhvillua në një ditë feste për komunitetin bektashi, atë të Sulltan Norvuzi. Megjithatë, simbolika e zgjedhur nga demokratët, është ajo e 22 marsit të vitit 1992 që shënon fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e para pluraliste pas rënies së komunizmit në Shqipëri.
U prek nga gazi lotsjellës, Berisha me sy të skuqur e të përlotur
Ky është momenti kur kryetari i PD, Sali Berisha, pësoi edhe vetë efektet e gazit lotsjellës që policia hodhi gjatë protestës së dhunshme të PD. Për shkak të këtij incidenti, ai ndaloi pranë shtëpisë së tij sepse nuk ishte ndier mirë, para se të vazhdonte marshimin me militantët.
Sulmet me molotovë drejt AKSHI-t, deputetët Boçi e Strazimiri përplasje me efektivët e policisë
Deputetët e Partisë Demokratike si Luçiano Boçi, Gent Strazimi e të tjerë mbështetës, janë përplasur me efektivët e policisë në zonën e ish-Bllokut ndërkohë që sulmohej me molotovë godina e AKSHI-t.