Tirana ka mbyllur përgatitjet në stadiumin “Selman Stërmasi”, në prag të përballjes ndaj Flamurtarit, një sfidë që konsiderohet mjaft e rëndësishme për vijimësinë e sezonit. Bardheblutë zhvilluan seancën e fundit stërvitore në kushte tërësisht të izoluara, me stafin teknik që vendosi të mos lejojë praninë e publikut apo mediave.TiranaTrajneri Orges Shehi ka preferuar të punojë larg syve kureshtarë, duke u fokusuar te detajet taktike, organizimi i skuadrës dhe situatat specifike të lojës që mund të rezultojnë vendimtare në këtë përballje. Gjatë ditëve të fundit, stafi teknik ka punuar intensivisht si në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese, duke kërkuar rritjen e efikasitetit përpara portës dhe më shumë siguri në prapavijë.
Po ashtu, një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe goditjeve standarde, që shpeshherë mund të vendosin fatin e ndeshjeve të balancuara. Atmosfera në skuadër raportohet të jetë pozitive, me lojtarët të motivuar dhe të vetëdijshëm për rëndësinë e pikëve në këtë fazë të kampionatit. Nga ajo që mësohet, tekniku bardheblu ka një ide të qartë për formacionin që pritet të hedhë në fushë.
Porta pritet t’i besohet Bekajt, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohen Vera, Halili, Kortez dhe Ndong. Në mesfushë pritet të veprojnë Meta dhe Mysloviç, me Alvarez që do të ketë rolin e organizatorit të lojës dhe lidhjes mes repartit të mesit dhe sulmit.
Në vijën e parë, Tirana pritet të mbështetet te treshja Tabeku, Xhixha dhe Haxhiu, nga të cilët kërkohet konkretizimi i rasteve dhe presioni i vazhdueshëm ndaj mbrojtjes kundërshtare.0
PANORAMASPORT.AL