Një sulm me armë zjarri nga tre persona është regjistruar këtë të martë (7 prill) pranë Konsullatës Izraelite në Stamboll, duke shkaktuar alarm të lartë sigurie në zonë.
Sipas raportimeve paraprake, autorët kanë hapur zjarr drejt forcave të rendit, të cilat janë kundërpërgjigjur menjëherë, duke vrarë njërin prej tyre në vendngjarje. Dy personat e tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë dhe, sipas autoriteteve, rezultojnë të jenë vëllezër. Ata dyshohet se kanë mbërritur në Stamboll nga Izmir me një automjet me qira.
Nga të dhënat paraprake, ekzistojnë dyshime se të përfshirët mund të kenë lidhje me ISIS ose grupe të tjera me prirje ekstremiste fetare. Po ashtu, të plagosur nga sulmi kanë mbetur dhe dy policë.
Dëshmitarë në vendngjarje kanë deklaruar se një nga sulmuesit iu afrua zonës së konsullatës në lagjen Levent dhe hapi zjarr nga rreth 70 metra distancë, përpara se të neutralizohej nga policia.
Ndërkohë, një burim i tha AFP se aktualisht nuk ka diplomatë izraelitë në territorin turk.
Ministri i Brendshëm, Mustafa Çiftçi, konfirmoi se incidenti ndodhi pranë Yapı Kredi Plaza dhe se situata është vënë nën kontroll.
“Tre individë që u përfshinë në një përleshje të armatosur me oficerët tanë të policisë janë neutralizuar. Dy efektivë policie kanë pësuar plagë të lehta”, deklaroi ai.
Sipas ministrit, identitetet e autorëve janë tashmë të njohura për autoritetet, ndërsa një prej tyre rezulton me lidhje me një organizatë që shfrytëzon fenë, ndërsa një tjetër ka precedent penal për çështje droge.
Policia turke vijon hetimet për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e këtij sulmi.
/rtsh.al/