Organizatat joqeveritare, sipas raportit të fundit të Agjencisë së Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore (FRA), ajo po përballet me sfida serioze. Rreth 75% e organizatave të shoqërisë civile raportojnë pengesa në aktivitetet e tyre, ndërsa 22% vlerësojnë se kushtet janë përkeqësuar shumë dhe 48% se janë përkeqësuar. Për më tepër, 67% kanë përjetuar kërcënime online dhe 44% reduktim apo ndërprerje të fondeve. Vetëm 3% e organizatave besojnë se situata është përmirësuar. Raporti thekson mungesën e monitorimit të strukturuar dhe pjesëmarrjes efektive në hartimin e politikave, raporton Portalb.mk.
Shoqëria civile luan një rol vendimtar në ndërtimin dhe funksionimin e një shoqërie demokratike. Ajo kontribuon në mbrojtjen e të drejtave themelore, rrit transparencën dhe ndihmon në përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse. Në Bashkimin Evropian, rëndësia e saj është njohur në dokumente të shumta strategjike, si strategjia për shoqërinë civile dhe mburoja e demokracisë evropiane. Megjithatë, realiteti tregon se hapësira qytetare po përballet me sfida të shumta dhe në rritje.
Sipas raportit të FRA-së, një nga problemet kryesore është mungesa e një sistemi të unifikuar monitorimi.
“Që nga viti 2018, FRA ka dokumentuar sfidat ndaj hapësirës qytetare. Rezultatet e konsultimit të FRA-së për hapësirën qytetare që mbulon vitin 2024 tregojnë se 75% e organizatave të shoqërisë civile (OJQ) që u përgjigjën, aktive në fushën e të drejtave themelore, u përballën me pengesa në kryerjen e aktiviteteve për të drejtat e njeriut (18% shpesh, 55% ndonjëherë). OJQ-të perceptojnë një përkeqësim jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel të BE-së.
Në përgjigje të një pyetjeje se si kanë ndryshuar kushtet në nivel të BE-së për OJQ-të që punojnë për të drejtat e njeriut në vitin 2024, 22% e organizatave që u përgjigjën thanë se ato ishin përkeqësuar shumë, 48% thanë se ishin përkeqësuar, 26% thanë se kishin mbetur të njëjta dhe vetëm 3% thanë se kushtet ishin përmirësuar”, thuhet në raport.
Kjo situatë e bën të vështirë për politikëbërësit dhe organizatat që të kenë një pasqyrë të qartë të gjendjes dhe të ndërmarrin masa efektive. Për këtë arsye, raporti rekomandon krijimin e një qendre të përbashkët informacioni dhe harmonizimin e terminologjisë për shoqërinë civile.
Një tjetër sfidë e rëndësishme lidhet me mungesën e strategjive kombëtare gjithëpërfshirëse. Edhe pse BE-ja ka bërë thirrje për zhvillimin e tyre, shumë shtete anëtare ende nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë.
“Pavarësisht presionit të vazhdueshëm mbi hapësirën qytetare dhe aktorët e hapësirës qytetare, pak Shtete Anëtare kanë zhvilluar një përgjigje të përkushtuar dhe gjithëpërfshirëse, siç është një strategji ose kornizë për veprime në nivel kombëtar për të nxitur një hapësirë qytetare të sigurt dhe mundësuese dhe pjesëmarrjen efektive të organizatave të shoqërisë civile, siç kërkohet nga Komisioni Evropian në rekomandimin e tij të vitit 2023 mbi pjesëmarrjen dhe përsëri në strategjinë e BE-së të vitit 2025 për shoqërinë civile”, thuhet në raport.
Kjo mungesë koordinimi ndikon drejtpërdrejt në aftësinë e shoqërisë civile për të vepruar në mënyrë efektive dhe të qëndrueshme.
Në aspektin ligjor, organizatat përballen me kufizime që cenojnë liritë themelore si ajo e shprehjes, tubimit dhe shoqërimit.
“Një numër shtetesh anëtare kanë futur, propozuar ose mirëmbajtur legjislacion që rrezikon të minojë liritë themelore bazuar në qëllimet e deklaruara të mbrojtjes së sigurisë, rendit publik ose efikasitetit administrativ. Disa nga këto masa, për shembull, rregullat tepër kufizuese mbi tubimet dhe protestat, duke përfshirë ndalimet parandaluese, kërkesat e rënda të regjistrimit ose raportimit, dhe ligji ose retorika zyrtare që stigmatizojnë OJQ-të bazuar në financimin ose aktivitetet e tyre – qoftë me qëllim apo pa qëllim kontribuojnë në një mjedis në të cilin OJQ-të dhe aktivistët hasin pengesa në kryerjen e punës për të drejtat e njeriut”, thuhet në raportin e FRA-së.
Këto masa krijojnë një klimë frike dhe pasigurie, duke penguar aktivitetet e organizatave dhe aktivistëve.
Një problem tjetër serioz është siguria e aktorëve të shoqërisë civile. Shumë organizata raportojnë kërcënime, sulme dhe presione të vazhdueshme.
“Në konsultimin e hapësirës qytetare të FRA-së për vitin 2024, 67% e organizatave që iu përgjigjën pyetjes treguan se kishin përjetuar kërcënime dhe sulme verbale online”, thuhet në raport.
Shqetësuese është edhe fakti se shumica e incidenteve nuk raportohen, pasi organizatat besojnë se nuk do të ketë pasoja konkrete. Kjo tregon mungesë besimi në sistemet e drejtësisë dhe mbrojtjes.
Financimi mbetet një ndër sfidat më të mëdha për shoqërinë civile. Reduktimi i fondeve dhe rregullat kufizuese e bëjnë të vështirë funksionimin e organizatave.
“Konsultimi i FRA-së tregon se 61% e OJQ-ve që kanë përjetuar incidente nuk i kanë raportuar ato ose nuk kanë bërë ankesë. Arsyeja më e shpeshtë e treguar për këtë ishte se asgjë nuk do të ndodhte ose ndryshonte (54%). Shqetësuese është ndikimi i raportuar i këtyre sulmeve mbi organizatat dhe individët e përfshirë. Në konsultimin e fundit, 4 nga 5 organizata qëjkanë përgjigjur treguan se stafi ose vullnetarët e tyre kanë përjetuar efekte psikologjike si lodhje, depresion, ankth dhe ndjenja të cenueshmërisë. Më shumë se gjysma vunë re probleme financiare dhe ndërprerje ose reduktim të aktiviteteve për shkak të presioneve të jashtme”, thekson raporti.
Në disa raste, organizatat përballen edhe me stigmatizim si “agjentë të huaj”, gjë që ndikon negativisht në reputacionin dhe funksionimin e tyre.
Së fundi, pjesëmarrja e shoqërisë civile në hartimin e politikave mbetet e kufizuar. Edhe pse ekzistojnë mekanizma konsultimi, ato shpesh nuk janë efektive.
“Afatet e shkurtra dhe procedurat e përshpejtuara pengojnë pjesëmarrjen kuptimplote të OJQ-ve… ndërsa reagimet mbi kontributet e tyre shpesh mungojnë ose janë të paqarta”.
Kjo situatë dobëson demokracinë pjesëmarrëse dhe ul besimin e qytetarëve në institucionet publike.
Si përfundim, raporti i FRA-së tregon qartë se, megjithëse shoqëria civile mbetet një shtyllë e rëndësishme e demokracisë në BE, ajo përballet me sfida të shumta strukturore, ligjore dhe financiare. Për të përmirësuar situatën, nevojiten masa konkrete si monitorim i strukturuar, strategji kombëtare gjithëpërfshirëse, mbrojtje më e fortë për aktorët e shoqërisë civile dhe rritje e pjesëmarrjes së tyre në proceset vendimmarrëse. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurohet një hapësirë qytetare e lirë, e sigurt dhe funksionale për të gjithë.
Përndryshe, Komisioni Evropian në Raportin e fundit tha se hapësira për veprim e shoqërisë civile në Maqedoninë e Veriut është ngushtuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit, pavarësisht mjedisit të favorshëm në përgjithësi. Derisa OJQ-të këmbëngulin se roli i shoqërisë civile duhet të jetë si partner i barabartë i qeverisë, jo vetëm si dekor apo vëzhgues, nga ana tjetër, Qeveria lavdërohej me themelimin e Këshillit për Bashkëpunim me Shoqërinë Civile.