Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, në fjalën e tij përshëndetëse në Kongresin e 18-të Evropian të Kirurgëve Abdominalë theksoi se agjenda e sotme hap tema thelbësore për të ardhmen e shëndetësisë, ndër të cilat mjekësia e bazuar në prova dhe transplantimi.
“Shkenca nuk është vetëm strategji dhe sistem, por edhe një histori njerëzore. Ajo zhvillohet në sallat operative, në duart e mjekëve dhe në vendimet që shpëtojnë jetë. Pikërisht transplantimi është shembulli më i fuqishëm – kulmi i shkencës mjekësore, por edhe një akt i humanizmit më të thellë. Transplantimet e suksesshme të mëlçisë dhe veshkës të realizuara ditët e fundit, si dhe 16 transplantime të kornesë në bashkëpunim me ekspertë nga SHBA, janë dëshmi se me punë të përbashkët, dije dhe mbështetje ndërkombëtare arrihen rezultate të rëndësishme. Kjo është konfirmim se edhe një shtet i vogël mund të zhvillojë burime të fuqishme njerëzore dhe shkencore kur ekziston një vizion i qartë dhe qëndrueshmëri institucionale”, theksoi ministri Aliu.
Ai tha se kongresi ndërkombëtar i kirurgëve abdominalë përfaqëson një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave, duke potencuar se përmes bashkëpunimit ndërkombëtar mund të arrihen rezultate edhe më të mëdha në interes të pacientëve.
Kongresi organizohet nga Shoqata Maqedonase e Kirurgëve Abdominalë (ShMKA), në bashkëpunim me Shoqatën Evropiane të Kirurgëve Digjestivë (ShEKD) dhe, siç u theksua, përfaqëson një nga mbledhjet më të rëndësishme profesionale në fushën e kirurgjisë digjestive në rajon.
Aliu në Kongresin e 18-të Evropian të Kirurgëve Abdominalë – bashkëpunimi ndërkombëtar i rëndësishëm për arritje të reja shkencore në interes të pacientëve
15