Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, zhvilloi mesditën e kësaj të premteje një konferencë për mediet. Fokusi kryesor ishte tema e trajnerit të Kombëtares, me Dukën që i ‘la derën hapur’ Sylvinhos për të vijuar kontratën e cila skadon në korrikun e këtij viti.
Duka tha se pas eliminimit në play-off-in e Kupës së Botës 2026 dhe humbjes së miqësores kundër Ukrainës, ai ka folur me trajnerin dhe i ka thënë që të vijojë punën nëse ka energji dhe e sheh të arsyeshme se mund të rinovojë. Sipas tij, Sylvinho kërkon kohë, ndërsa në mes janë edhe termat financiarë. Trajneri i ri i Kombëtares do vendoset para dy miqësoreve të qershorit, teksa një nga kundërshtarët do jetë Luksemburgu.
“E ardhmja e Sylvinhos? E dija që do ishte këtu interesi kryesor. Padyshim që prisnim dhe meritonim më shumë me atë që dhamë në fushë në Poloni. Kompeticioni ka qenë i mirë në total, flas për kualifikueset. Ka pasur edhe ndeshje që nuk kanë qenë në pritshmëritë tona, kemi vuajtur me Lituaninë. Me Anglinë shumë rivalë e kanë të vështirë, por ne në 70 minuta këtu në Tiranë luajtëm mirë.
Të dyja kualifikueset për Euro 2024 dhe Botërorin 2026 janë më të mirat që kemi bërë në histori. Mund të shkonim në Botëror, por fati nuk na buzëqeshi. Nga kjo mini-analizë, kam biseduar me trajnerin Sylvinho pas miqësores në Ukrainë, aty ku ishim ‘të plagosur’ dhe i kam thënë të njëjtat gjëra si më sipër, që ka një rrugëtim pozitiv.
Një trajner e ndjen vetë nëse duhet ta udhëheqë ekipin, trajneri duhet të ketë fuqi për të ruajtur balancat. E kam pyetur nëse mund ta udhëheqë më tej këtë ekip. Po flas troç. Ai më tha sesi mendoj unë. Unë i thashë që ka energji. Ai do kohën e tij. Ne këtë gjë do e vendosim para ndeshjeve miqësore të qershorit, pasi nuk e kemi vendosur. Nëse trajneri pranon do ulemi të flasim për termat ekonomikë”, tha Duka për çështjen e trajnerit.
I pyetur nëse një trajner shqiptar mund të jetë gati për në Kombëtare, Duka zbuloi një prapaskenë të disa viteve më parë, duke thënë se në momentin e finalizimit të marrëveshjes, Besnik Hasi u tërhoq nga drejtimi i kuqezinjve pasi i ofruan Anderlechtin në Belgjikë.
“Trajner shqiptar për Kombëtaren? Kam ofruar realisht të paktën një herë, i cili ka qenë Besnik Hasi. Në momentin e fundit kur ishim në finalizimin e kontratës, Besniku u tërhoq sepse e kërkoi Anderlechti. Padyshim e kam menduar dhe padyshim e mendoj. E para i kam ofruar trajnerit aktual nëse ka dëshirën për të vazhduar, pastaj janë edhe kushtet nëse kënaqen palët. Kjo gjë do të ndodhë para se të vijnë ndeshjet e qershorit”, tha Duka.
Kreu i FSHF-së ka besim se Ligji i Sponsorizimeve do kalojë në Kuvend, si një frymëmarrje për sportin. Ai shtoi se Ministria e Financave ‘ka një kundërshtim absurd’ për këtë temë.
“Futbolli në Shqipëri do të ketë vështirësi financiare pa mbështetje. Është shumë e vështirë që të zhvillohet. Ne e kemi filluar diskutimin, betejën, luftën për këtë Ligj Sponsorizimi 8 vite më parë, jemi akoma në të njëjtën situatë. Kemi bërë shumë takime, negociata, diskutime, së fundmi me ministrin e Sportit edhe pas Asamablesë, diku para 10 apo 15 ditësh. Qeveria e ka bërë një draft, e ka çuar për diskutim publik, padyshim që kemi shumë vërejtje edhe për atë draft.
Has një kundërshtim të madh nga Ministria e Financave, është absurde. Ku do shkojnë këto lekë thonë? Do të shkojnë tek fëmijët tanë që do të luajnë futboll, këto lekë buxheti dalin nga taksat tona. I vetmi mekanizëm mbetet Ligji i Sponsorizimit, mendoj që të jemi në finalizimin e tij”, tha kreu i FSHF-së.
Më tej Duka shtoi se Superliga do mbetet me dhjetë skuadra dhe Kategoria e Parë me 12 ekipe, duke thënë se ‘Final 4’ i ka dhënë më shumë garë elitës së futbollit në vend. Për fazën finale të sezonit në ‘Final 4’, Duka ceku se do jenë arbitrat shqiptarë që do vendosin drejtësi në këtë mini-turne.
Sa i takon arbitrimit, Duka pranon mangësitë, por thotë se niveli është në bazë të kampionatit dhe gabimet nuk kanë cënuar garën. Futbolli i moshave gjithashtu do jetë në fokusin e FSHF-së, si edhe infrastruktura, ku Duka tha se duhen më shumë stadiume si një apel për qeverinë.
Sipas tij këtë vit do fillojë puna për ‘Selman Stërmasin’ e ri në Tiranë, por nuk dha më shumë informacion për ngecjën e projekteve për stadiumet e reja në Korçë, Durrës dhe Vlorë.
Sa i takon miqësoreve të qershorit për Kombëtaren, Duka tha se Shqipëria do luajë në Tiranë. Luksemburgu duket rivali i konfirmuar, ndërsa ka bisedime me Kilin dhe Danimarkën. Asnjë ‘vëllazërore’ kundër Kosovës apo miqësore me Italinë.
“Më 3 ose 6 qershor mos gaboj kemi konfirmuar miqësoren me Luksemburgun në Tiranë. Jemi duke folur me Kilin edhe Danimarkën për një ndeshje në Tiranë. Nuk kemi biseduar me Kosovën apo Italinë për një sfidë në qershor”, tha Duka.
Sa i takon përfaqësimit të klubeve shqiptare në Evropë, ai tha se Superliga e ka cilësinë paçka se këtë vit nuk ka asnjë ekip në këto gara, as në Conference League. Duka e cilësoi futbollin shqiptar të paprekur nga trukimet, ndërsa tha se edhe pjesa e pagave për futbollistët profesionistë është rregulluar.
Në fund Duka tha se ka një problem me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, me KOKSH që nuk ftoi FSHF-në në Asamble dhe këta të fundit fituan çështjen në CAS-in e Lozanës. Vendim që KOKSH nuk e zbaton pasi merr të mirëqenë një vendim nga Gjykata shqiptare.
Ligji i Sponsorizimit, Duka: Nga Ministria e Financave ka një kundërshtim absurd
Në konferencën për mediet, kreu i FSHF-së, Armand Duka, foli edhe për Ligjin e Sponsorizimit i cili do ishte një frymëmarrje për investitorët dhe klubet. Sipas tij drafti është dërguar në një diskutim publik dhe duhet vullnet politik. Ai u shpreh se ka një ‘kundërshtim absurd nga Ministria e Financave’.
“Kam bindjen dhe jo vetëm bindjen, por kështu është realiteti. Futbolli në Shqipëri do të ketë vështirësi financiare pa mbështetje. Është shumë e vështirë që të zhvillohet. Ne e kemi filluar diskutimin, betejën, luftën për këtë Ligj Sponsorizimi, 8 vite më parë, jemi akoma në të njëjtën situatë. Kemi bërë shumë takime, negociata, diskutime, së fundmi me ministrin e Sportit edhe pas Asamablesë, diku para 10 apo 15 ditësh. Qeveria e ka bërë një draft, e ka çuar për diskutim publik, padyshim që kemi shumë vërejtje edhe për atë draft.
Kështu që shpresoj që është në fazën finale, shpresoj që të merren parasysh vërejtjet. Kërkojmë që të jetë një ligj funksional, ndihmon dhe mbështet sportin. Është vullnet politik.
Has një kundërshtim të madh nga Ministria e Financave, është absurde. Ku do shkojnë këto lekë thonë? Do të shkojnë tek fëmijët tanë që do të luajnë futboll, këto lekë buxheti dalin nga taksat tona. I vetmi mekanizëm mbetet Ligji i Sponsorizimit, mendoj që të jemi në finalizimin e tij, por nuk mund të flas me bindje. Jam kërkues i kësaj dhe jo vendimmarrësi”, tha Duka.
S’ka ‘vëllazërore’ me Kosovën, Duka tregon kundërshtarët e Shqipërisë në miqësoret e qershorit! Ndeshjet luhen në Tiranë
Armand Duka, kreu i institucionit të futbollit në Shqipëri ka thënë se ekipi Kombëtar do zhvillojë dy miqësore në Tiranë gjatë qershorit që vjen. Ai ka zbuluar se nuk do ketë një miqësore kundër Kosovës apo Italisë.
Duka tha se më 3 ose 6 qershor në Tiranë, Shqipëria do mirëpresë Luksemburgun, ndërsa ende nuk është vendosur miqësorja e dytë, duke u diskutuar me ekipe si Kili apo Danimarka.
Armand Duka: Ju tregoj trajnerin shqiptar që u tërhoq nga drejtimi i Kombëtares
Kreu i FSHF-së, Armand Duka, tregoi për mediet se ia ka ofruar Kombëtaren trajnerit Besnik Hasi disa vite më parë, por ky i fundit u tërhoq pasi i ofruan Anderlechtin në Belgjikë.
“Trajner shqiptar për Kombëtaren? Kam ofruar realisht të paktën një herë, i cili ka qenë Besnik Hasi. Në momentin e fundit kur ishim në finalizimin e kontratës, Besniku u tërhoq sepse e kërkoi Anderlechti. Padyshim e kam menduar dhe padyshim e mendoj. E para i kam ofruar trajnerit aktual nëse ka dëshirën për të vazhduar, pastaj janë edhe kushtet nëse kënaqen palët. Kjo gjë do të ndodhë para se të vijnë ndeshjet e qershorit”, tha Duka.