Një sherr brenda një lokali në fshatin Gjashtë të Sarandës, që përfundoi deri në përdorimin e armëve të zjarrit, i ka marrë jetën pronarit të një karburanti. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30 në lokalin e karburantit “Vëllezërit Ismaili sh.p.k,” dhe viktimë ka mbetur pronari Rexhep Ismaili 66 vjeç, i cili ka marrë 1 plumb në kokë. Ndërkohë, një person tjetër i paidentifikuar ende, ka mbetur i plagosur por nuk është paraqitur për të marrë ndihmë mjekësore në spital.
Rrethanat e ngjarjes ende nuk janë të qarta, por policia thotë se fillimisht sherri mes disa personave ka nisur me përdorimin e sendeve të forta, për motive që ende nuk dihen. Më pas, brenda lokalit të Rexhep Ismailit, i cili ishte në tavolinë me disa persona të tjerë, ka pasur edhe shkëmbim zjarri.
Dyshimet janë se ka qenë autori, Lulzim Tabaku që ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar me plumb në kokë 66-vjeçarin, i cili rezulton të jetë edhe kryetar i Shoqatës Çamëria në Sarandë.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie ndërsa rrethanat e vrasjes vijojnë të jenë të paqarta e në pyetje po merren të gjithë dëshmitarët.
Vrasja në Sarandë, identifikohet autori! Policia: Një tjetër i plagosur, nuk është paraqitur në spital për ndihmë
Rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të shtetasit R. I., gjatë një konflikti për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, mes disa personash, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi R. I., 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë.Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një shtetas tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.
Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi L. T. ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. I. dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt.
Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes
Rexhep Ismaili është ekzekutuar me armë zjarri brenda në lokalin e karburantit në pronësi të tij në fshatin Gjashtë të Sarandës. 66-vjeçari ka qenë në tavolinë me të tjerë persona kur autori ka hyrë i armatosur dhe e ka qëlluar për vdekje.