Sprinti për Champions League ka hyrë në fazën më të nxehtë të sezonit, me pesë skuadra që luftojnë për vetëm tre vende në “Europën që vlen”, dhe sipas bookmakers-ave diferencat janë të vogla, por edhe mjaft domethënëse për të kuptuar hierarkinë aktuale të garës. Napoli mbetet favorit absolut për kualifi kimin, me kuota që variojnë nga 1.01 deri në 1.05. Pavarësisht humbjes së fundit ndaj Bolonjës, situata është në duart e tyre: mjaftojnë vetëm tre pikë në dy ndeshjet e fundit ndaj Pisa-s, tashmë e rënë nga kategoria, dhe Udinezes për të mbyllur matematikisht çështjen Champions.
Në këtë kontekst, çdo skenar tjetër për ta do të ishte një surprizë e madhe. Pas tyre renditet Juventusi, që sipas kuotave 1.15–1.20 është shumë pranë objektivit. Fitorja në Leçe ka qenë një hap i rëndësishëm drejt sigurisë, por fundi i sezonit nuk është aspak i lehtë, me dy sfi da vendimtare ndaj Fiorentinës në “Allianz Stadium” dhe Torinos në “Olimpico Grande Torino”, dy ndeshje që mund të përcaktojnë gjithçka për bardhezinjtë. Në një situatë më të ndërlikuar ndodhet Milani, që është skuadra më në vështirësi nga grupi i kreut. Vetëm 7 pikë në 8 ndeshjet e fundit kanë bërë që kuqezinjtë të rrëshqasin nga vendi i dytë në zonën e rrezikshme të top 4. Kuotat e tyre janë në rritje, duke shkuar nga 1.35 në 1.60, çka tregon se besimi i tregut ka rënë ndjeshëm.
Megjithatë, Milani ka ende një kartë të rëndësishme në dorë: në rast barazimi pikësh me Romën, avantazhi në ndeshjet direkte i mban kuqezinjtë në pozicion më të favorshëm. Nga pas nuk dorëzohet as Roma, që ka arritur të kapë Milanin në renditje dhe mbetet në garë të plotë me kuota rreth 2.20–2.25. Skuadra e Gasperinit është e detyruar të marrë maksimumin në derbin ndaj Lacios dhe në ndeshjen e fundit ndaj Veronës, duke shpresuar njëkohësisht në një hap fals të Milanit.
Çdo gabim mund të jetë vendimtar në këtë garë të ngushtë. Më e vështirë duket rruga për Komon, që gjithsesi matematikisht mbetet në lojë. Me kuota nga 3.75 deri në 5.00, skuadra e Fabregas duhet të përmbysë një diferencë prej dy pikësh në një fund sezoni aspak të thjeshtë, ku ndeshjet ndaj Parmës dhe sidomos derbi lombard me Kremonezen mund të vendosin fatin e një sezoni historik për ta. Në këtë mënyrë, gara për Champions mbetet e hapur, e tensionuar dhe me shumë variabla ende për t’u zgjidhur, ku çdo ndeshje e mbetur ka peshën e një fi naleje.