Federata e Futbollit ka zyrtarizuar edhe ndeshjen e dytë miqësore të Kombëtares U-21 për muajin nëntor. Kuqezinjtë do të përballen me Spanjën U-21 më 17 nëntor, në orën 19:00, në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Pas miqësores me Luksemburgun, të programuar më 13 nëntor, sfida ndaj Spanjës përbën një tjetër test të rëndësishëm për skuadrën e drejtuar nga Alban Bushi, në kuadër të përgatitjeve për Kampionatin Europian U-21 2027.
Përballja me një nga përfaqësueset e njohura të futbollit europian në këtë grupmoshë do t’i shërbejë ekipit kuqezi për të vijuar punën dhe për të fituar eksperiencë në prag të sfidave të ardhshme.
Shqipëria është një nga vendet organizatore të Kampionatit Europian U-21 2027 dhe e ka të garantuar pjesëmarrjen në fazën finale të këtij kompeticioni.