Kryeministri i ri i Hungarisë, Péter Magyar, ka sinjalizuar një ndryshim të madh në politikën e jashtme të vendit, duke u distancuar nga Moska pas një sulmi masiv me dronë rusë në Ukrainë, pranë kufirit hungarez.
Magyar deklaroi se qeveria e tij ka thirrur ambasadorin rus për t’i dërguar një mesazh të qartë: “Qeveria hungareze dënon fuqimisht sulmin rus ndaj Transkarpatisë.”
Ai shtoi se ministri i Jashtëm hungarez do të takohet me ambasadorin rus për të kërkuar informacion mbi planet e Moskës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sipas raportimit të The Guardian , ky qëndrim shënon një largim nga politika e mëparshme e Budapestit, e cila shpesh kishte bllokuar ndihmat për Ukrainën dhe kishte ngadalësuar përpjekjet e saj për integrim në BE.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, e falënderoi publikisht Hungarinë për qëndrimin e saj të fortë.
Sulmi rus i së mërkurës përfshiu mbi 800 dronë dhe goditi rreth 20 rajone të Ukrainës, me objektiv kryesor infrastrukturën kritike të Kievit.
Si masë parandaluese, Polonia ngriti avionët luftarakë për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore. Të enjten në mëngjes, Rusia vazhdoi bombardimet duke lëshuar 675 dronë dhe 56 raketa, ndërsa forcat ajrore ukrainase raportuan se rrëzuan shumicën e tyre.
Ndërkohë, dy guvernatorët e rajoneve ruse kufitare me Ukrainën, Belgorod dhe Bryansk, dhanë dorëheqjen dhe u zëvendësuan nga Alexander Shuvaev dhe Yegor Kovalchuk, pas takimit me presidentin Vladimir Putin.