Pesë shtete të Bashkimit Evropian kanë propozuar një model të anëtarësimit “hap pas hapi” për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë Kosova, me synimin për t’i afruar gradualisht ato me tregun e përbashkët evropian dhe për të kufizuar ndikimin rus në rajon, raporton “Euractiv” të mërkurën.
Në një dokument konfidencial të shpërndarë mes 27 vendeve anëtare të BE-së në Bruksel, Austria, Çekia, Italia, Sllovakia dhe Sllovenia kanë kërkuar nga Komisioni Evropian që të rishqyrtojë mënyrën se si vendet kandidate përfshihen në tregun unik evropian.
“Për të ruajtur momentumin e zgjerimit dhe për të avancuar integrimin evropian, nevojiten stimuj të fortë dhe tërheqës”, thuhet në dokumentin e parë nga “Euractiv”. Sipas propozimit, qasja në tregun e përbashkët duhet të bazohet në meritë dhe të realizohet gradualisht, sektor pas sektori.
Modeli i propozuar, i quajtur “integrim sistematik sektorial”, parasheh që vende si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia të përfshihen në më shumë programe të BE-së, teksa harmonizojnë legjislacionin e tyre me atë të unionit.
Dokumenti thekson se integrimi gradual duhet të zbatohet sapo një vend kandidat të tregojë nivel të lartë përafrimi me rregullat e BE-së në sektorin përkatës. Gjithashtu propozohet vendosja e mekanizmave mbrojtës në rast se ndonjë shtet që gëzon qasje të veçantë në tregun evropian bën hapa prapa në reforma.
Mes sektorëve të rinj që mund të përfshihen janë transporti, energjia, tregu i energjisë elektrike, tregu digjital, strategjitë për konkurrencë dhe politikat për lëndët e para. Në dokument përmendet edhe marrëveshja për lëvizjen e të rinjve mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së si model që mund t’u ofrohet vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Megjithatë, dokumenti nuk i plotëson idetë e propozuara nga Shqipëria. Ministri i Jashtëm i këtij vendi, Ferit Hoxha, në një intervistë me “Euractiv” javën e kaluar, sugjeroi që vendet kandidate duhet të fitojnë statusin e vëzhguesit në organet e BE-së ndërsa mbyllin kapitujt.
E disa analistë vlerësojnë se propozimi nuk sjell ndryshime të mëdha nga idetë e mëparshme për integrim gradual. Milan Niq, studiues në Këshillin Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, ka thënë se dokumenti duket si një version më i sofistikuar i koncepteve të mëhershme për integrim të pjesshëm.
Autorët e dokumentit i kanë bërë thirrje komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, që të hartojë ide të reja në këtë drejtim, duke argumentuar se një qasje e tillë do ta forconte tregun unik evropian dhe do t’i afronte më shumë vendet kandidate me Bashkimin Evropian.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova mbetet në fazën më të hershme të procesit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ndonëse Kosova aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në BE në fund të vitit 2022, aplikimi ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat dhe as që përmendet në diskutimet aktuale për zgjerimin e unionit.
Në anën tjetër, Mali i Zi e Shqipëria konsiderohen vende më të avancuara në negociatat me BE-në, pasi kanë hapur të gjithë kapitujt negociues. Edhe Maqedonia e Veriut ka nisur zyrtarisht negociata, ndërsa Serbia prej vitesh zhvillon negociata me Brukselin, megjithëse procesi i saj është përballur me kritika dhe ngadalësim për shkak të raporteve me Rusinë dhe çështjeve që lidhen me sundimin e ligjit.