Shqipëria ka marrë miratimin për IBAR, raportin e vlerësimit të pikave të ndërmjetme që pasqyron ecurinë e deritanishme në procesin e integrimit europian.
Grupi i punës për Zgjerimin i ka dhënë dritën jeshile këtij dokumenti, ndërsa 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian kanë arritur dakordësinë për një draft të përbashkët, i cili pritet të shqyrtohet më 22 maj në mbledhjen e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm që përbëhet nga ambasadorët e vendeve anëtare.
Jashtë ambienteve të Kuvendit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla e cilësoi këtë zhvillim hap të rëndësishëm në rrugëtimin europian të vendit, duke theksuar se Shqipëria po mbyll një javë me zhvillime domethënëse në këtë drejtim.
“Te Themeloret u identifikuan më shumë se 92 hendeqe. Themeloret në historinë e BE-së janë ato që hapen të parat dhe mbyllen të fundit, por në rastin e Shqipërisë, me reformën në drejtës, vetingun, luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, model për vendet e tjera që aspirojnë. Javën tjetër ecim me konferencën ndërqeveritare”, tha Balla.
Pas shqyrtimit në Komitetin e Ambasadorëve të BE, hapi i radhës pritet të jetë Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që do të zhvillohet më 26 maj ku Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. Kjo konferencë konsiderohet një nga momentet kyçe të procesit të negociatave, duke hapur rrugën për avancimin e mëtejshëm në mbylljen e kapitujve të anëtarësimit.