Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka publikuar listën paraprake prej 26 lojtarësh për Kupën e Botës 2026 që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada nga 11 qershori deri më 19 korrik, ku mungesat më të mëdha janë Cole Palmer i Chelseat, mbrojtësi i Real Madridit, Trent Alexander-Arnold, si dhe anësori i sulmit të Man. Cityt, Phil Foden. Më herët edhe Harry Maguire konfirmoi se nuk ishte përzgjedhur nga trajneri gjerman i ‘Tre Luanëve’.
Nga Botërori i fundit i ‘Katar 2022’ kanë mbijetuar vetëm tetë futbollistë: Jordan Pickford, John Stones, Jude Bellingham, Declan Rice, Jordan Henderson, Bukayo Saka, Harry Kane dhe Marcus Rashford.
“Është vërtet emocionuese dhe një privilegj i madh të jem në gjendje të emëroj një skuadër të Anglisë për Kupën e Botës. Ka qenë një proces i vështirë për të vendosur për nominimin, por unë kam besim të plotë në këtë grup lojtarësh.
Të gjithë e meritojnë vendin e tyre. Skuadra dhe të gjithë të përfshirët në ekip do të japin gjithçka që munden për ta bërë vendin krenar. E dimë që ata janë me ne dhe shpresojmë për një verë shumë të veçantë”, tregoi ai.
Në sulm ka një thirrje surprizë për Ivan Toney. Pavarësisht se luajti një rol në garën për në finalen e Kampionatit Evropian dy vjet më parë, ish-sulmuesi i Brentford nuk ka luajtur për ‘Tre Luanët’ që kur u transferua në Arabinë Saudite për të luajtur për Al Ahli. Ai ka qenë në formë të shkëlqyer para portës këtë sezon, duke shënuar 42 herë në të gjitha garat.
Anglia, e cila u eliminua nga Franca në fazën çerekfinale në Katar katër vjet më parë, do ta fillojë fushatën e saj më 17 qershor kundër Kroacisë në Grupin L, përpara ndeshjeve kundër Ganës (23 qershor) dhe Panamasë (27 qershor).
Anglia kërkon të fitojë Kupën e Botës për herë të dytë në historinë e saj dhe të parën që nga viti 1966.
Harry Maguire mbetet jashtë Botërorit me Anglinë, mbrojtësi: Jam i shokuar dhe i zhgënjyer

Trajneri Thomas Tuchel do të shpallë sot skuadrën e Anglisë me 26 lojtarë për Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet këtë verë në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Mbrojtësi i Manchester United, Harry Maguire, ka konfirmuar tashmë se nuk është përfshirë, ndërsa pritet që të mungojnë edhe Cole Palmer i Chelseat dhe sulmuesi i Manchester Cityt, Phil Foden.
Veç tyre, edhe Trent Alexander-Arnold i Real Madridit pritet të lihet jashtë skuadrës, ndërsa Ivan Toney që luan për Al Ahli në Arabinë Saudite pritet të jetë në ekip.
Vetë Maguire ka bërë ditën e djeshme një reagim të ndjerë në kanalet e komunikimit, duke treguar se është i zhgënjyer.
“Isha i bindur se mund të luaja një rol të rëndësishëm këtë verë për vendin tim pas sezonit që kam pasur. Jam shokuar dhe i shkatërruar nga vendimi. Nuk kam dashur asgjë më shumë sesa të vesh atë fanellë dhe të përfaqësoj vendin tim gjatë viteve. U uroj lojtarëve gjithë të mirat këtë verë”, shkruan 33-vjeçari.
Anglia kërkon të fitojë Kupën e Botës për herë të dytë në historinë e saj dhe të parën që nga viti 1966. ‘Tre Luanët’ janë shortuar në Grupin L së bashku me Kroacinë, Ganën dhe Panamanë.