Pamjet e arrestimit të Britney Spears për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe drogës kanë bërë xhiron e rrjetit, duke rikthyer shqetësimet për gjendjen e saj personale dhe emocionale, pasi videot e publikuara së fundmi po qarkullojnë me shpejtësi në rrjet. Sipas raportimeve të mediave amerikane, ylli i muzikës pop u arrestua më 4 mars në Kaliforni, pasi oficerët e Patrullës së Autostradës konstatuan se ajo po drejtonte automjetin në mënyrë të rrezikshme në autostradën US-101, pranë zonës së Newbury Park.
Në pamjet e publikuara nga Daily Mail, Spears shfaqet e çorientuar gjatë testit të maturisë në anë të rrugës. Oficerët e policisë i kërkojnë këngëtares të ndjekë me sy lëvizjet e duarve, ndërsa sipas raportit zyrtar ajo kishte vështirësi në bashkëpunim, duke pretenduar se vuante nga një dhimbje e fortë koke dhe ndjeshmëri ndaj dritës. Në një moment tjetër të videos, këngëtarja shihet teksa i vendosen prangat, ndërsa pyet oficerët nëse i kishin marrë telefonin celular. Sipas raportit policor, autoritetet vunë re se Spears po lëvizte me shpejtësi të lartë dhe po ndryshonte korsitë në mënyrë të pakontrolluar. Oficerët raportuan gjithashtu se ajo kishte ecje të paqëndrueshme, sy të skuqur dhe vështirësi në të folur.
Mediat amerikane shkruajnë se këngëtarja pranoi se kishte konsumuar alkool dhe kishte marrë medikamente, përfshirë Adderall dhe Prozac, para se të drejtonte automjetin. Brenda makinës u gjet edhe një gotë verë, ndërsa policia raportoi erë të fortë alkooli në automjet. Pas arrestimit, Spears iu nënshtrua analizave të gjakut dhe më pas u deklarua fajtore për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit. Gjykata vendosi ndaj saj 12 muaj liri të mbikëqyrur, ndërsa sipas raportimeve ajo ka ndjekur edhe një program tre-javor detoksifikimi.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje vështirësitë personale të artistes, e cila prej vitesh ka qenë në fokus të mediave për shkak të problemeve me shëndetin mendor dhe sjelljes së saj publike. Pamjet e arrestimit kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale. Një pjesë e fansave kanë shprehur shqetësim për gjendjen e saj, ndërsa të tjerë e kanë cilësuar këtë si një tjetër moment të vështirë në jetën e këngëtares. Deri më tani, Spears nuk ka reaguar publikisht lidhur me publikimin e videos së arrestimit.
© BalkanWeb