Pas titullit kampion në Bundesligë, Bayern Munich ia doli që këtë sezon të fitonte edhe Kupën e Gjermanisë duke bërë dopietë trofesh. Për të arritur këtë, ekipi i Vincent Kompany mposhti të shtunën 3-0 Stuttgartin në finalen e ‘ Olympiastadion’.
Heroi i takimit për Bayernin ishte Harry Kane i cili shënoi të tre golat e ndeshjes. Sulmuesi anglez e zhbllokoi ndeshjen në minutën e 55-të, ndërsa dhjetë minuta para fundit të sfidës ‘vulosi’ triumfin e të tijve me golin e dytë. Ndërkohë, në shtesën e dytë kishte vend edhe për golin e tretë nga 11 metërshi.
32-vjeçari anglez sheh sezonin më të mirë në karrierë, pasi në 51 ndeshje ia ka dalë që të shënojë 61 gola. Tanimë Kane ‘kërcënon’ rivalët në Kupën e Botës, teksa do të jetë udhëheqësi i sulmit të Anglisë në turneun që do të zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik.
Kështu, Bayern Munich ia del të fitojë Kupën e Gjermanisë për herën e 21-të në histori. Ky trofe për ta mungonte prej gjashtë vitesh.