Përrenjasi përjetoi për disa ditë atmosferën e ‘Kupës Flamendo 2026’, një turne futbolli që mblodhi 20 skuadra nga Përrenjasi, Librazhdi dhe Pogradeci.
Përrenjasi përjetoi për disa ditë radhazi emocionet e një prej aktiviteteve sportive më të veçanta të vitit, “KUPA FLAMENDO 2026”, një kampionat që solli atmosferë elektrizuese, rivalitet sportiv, respekt dhe bashkim mes komuniteteve të zonës.
Në këtë turne morën pjesë 20 skuadra nga Përrenjasi, Librazhdi dhe Pogradeci, ndërsa mijëra tifozë mbushën tribunat dhe ambientet sportive, duke dëshmuar edhe një herë pasionin e madh që vazhdon të ketë futbolli në zemrat e komunitetit.
Kulmi i aktivitetit ishte finalja madhështore mes FC Rrajca dhe FC Mokra, një përballje që shkoi përtej futbollit dhe u kthye në simbol krenarie, historie dhe force mes dy zonave. Ndeshja u karakterizua nga emocione të shumta dhe spektakël në fushë, ku në fund FC Rrajca triumfoi me rezultatin 4-2, duke ngritur trofeun e kampionit.
“Ishte një finale me tifozeri të mrekullueshme, me një ndeshje me të vërtetë emocionuese. Më vjen mirë që ky është edicioni i parë i këtij turneu, por do të ketë aktivitete të tjera si këto”, tha një prej organizatorëve.
Megjithatë, organizatorët theksuan se mbi gjithçka fitoi fryma e vëllazërisë, respektit dhe bashkëpunimit, duke treguar se sporti mbetet një nga elementët më të rëndësishëm për bashkimin dhe zhvillimin e komunitetit.
Një falënderim i veçantë iu drejtua të gjitha skuadrave pjesëmarrëse, bashkëpunëtorëve dhe çdo personi që kontribuoi në organizimin dhe suksesin e këtij kampionati, i cili konsiderohet tashmë një aktivitet me rëndësi të veçantë sportive dhe sociale për zonën.
Një nga lajmet më të mira që solli ky aktivitet ishte edhe rikthimi i shumëpritur i DOMOSDOVËS. I deleguari i bashkisë Përrenjas Ardit Facja u shpreh se, në bashkëpunim me Kryetarin e Bashkisë Përrenjas, Nuri Belba, do të nisë puna për krijimin e ekipit të parë të Domosdovës, si dhe për forcimin e Akademisë Sportive “Domosdova 1978”.
“KUPA FLAMENDO 2026” la pas jo vetëm fitues dhe trofe, por edhe një mesazh të fortë bashkimi, shprese dhe besimi tek e ardhmja sportive e Prrenjasit dhe gjithë zonës.