Një 7-vjeçar u përplas për vdekje mëngjesin e sotëm në fshatin Mengel të Elbasanit nga regjisori i njohur Petri Bozo. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e kësaj të hëne në aksin Elbasan-Librazhd, rreth orës 08:00, kur i mituri ka qenë duke shkuar në shkollë i shoqëruar nga e ëma.
Dinamika e aksidentit është ende e paqartë. I mituri i ka ikur nga dora të ëmës që po e çonte në shkollë dhe në këtë moment është përplasur nga mjeti që drejtohej nga regjisori Bozo. Ndërkohë, Report Tv solli edhe pamjet nga vendi i ngjarjes, ku shenjat e gjakut pas përplasjes së të miturit për vdekje dallohen buzë rrugës, jashtë trases.
Për aksidentin, policia ka shoqëruar në komisariat regjisorin, ndërsa një grup hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
“Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Elbasan-Librazhd”, automjeti me drejtues shtetasin P. B., 61 vjeç, ka përplasur një fëmijë rreth 7 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit”, njoftoi sot policia.
Pas ngjarjes së rëndë banorët thonë se shoferët ecin shumë shpejt dhe se ky nuk është aksidenti i parë që ka ndodhur në këtë zonë, por një tjetër i mitur ka ndërruar jetë para disa vitesh pranë të njëjtit vend.
“Shoferët ecin shumë shpejt, këtu është zonë e banuar. Edhe para 4-5 vitesh në të njëjtin vend ka vdekur një tjetër fëmijë”, thotë banori.
I mituri ishte nxënës në shkollën 9-vjeçare “Sulejman Rranci”, e cila ndodhet në buzë të aksit nacional Elbasan-Librazhd.