Maturantët, pas përsëritjes së njohurive të marra gjatë këtij muaji, do t’i nënshtrohen në qershor provimeve të Maturës Shtetërore. Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, ka sqaruar se provimet do të zgjasin nga 2 orë e gjysmë dhe do të përbëhen nga 60 pikë të mundshme.
Vetëm një javë i ndan maturantët nga provimet e Maturës Shtetërore, procesi i cili përmbyll 12 vite shkollim për t’i lënë vendin një tjetër rrugëtimi të rëndësishëm: nisjes së studimeve të larta.
Në një intervistë për RTSH, zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, sqaroi se testi do të jetë i ndërtuar me pyetje alternative dhe me zhvillim, si dhe do të përmbajë 3 nivele vështirësie, ku niveli i fundit do të bëjë diferencimin mes nxënësve me nota 9 dhe 10.
“Testi i maturës shtetërore është një test i cili sigurisht duhet të plotësojë standartin 80% të nivelit mesatar dhe vetëm 20% e testit është i nivelit të lartë, që do të thotë minimalisht tre deri në katër pyetje që e bëjnë nxënësin të marri notat sigurisht të dëshiruara prej të gjithëve që është nota nëntë apo nota 10”, tha Osmani.
Rregullorja e Maturës Shtetërore është strikte dhe parashikon penalizime për të gjithë ata që do të tentojnë të marrin celularë apo ora smart me vete.
“Fakti që ata mund t’i kenë me vete mund t’i penalizojë dhe mund t’i përjashtojë nga provimi i maturës shtetërore”, tha Osmani.
Çdo maturant që mendon se nuk është vlerësuar ashtu si duhet ka të drejtë të ankimojë rezultatin. Vlerësimi bëhet fillimisht nga komisioni i shkollës dhe, nëse në këtë fazë gjykohet se vlerësimi nuk ka qenë i drejtë, teza ridërgohet në Qendra e Shërbimeve Arsimore.
“Ky është komisioni përfundimtar i cili merr vendimin përfundimtar nëse kjo notë duhet të ndryshohet apo jo. Sigurisht nga vitet e kaluara ë ne kemi patur raste të ankimve të maturantëve dhe rezultatet e tyre mund të kenë qenë të njëjta. Pra nuk kanë patur ndryshime ose kanë patur raste edhe të ngritjes së notës, por edhe të uljes së notës”, shtoi ajo.
Provimet do të zgjasin nga 2 orë e gjysmë dhe do të përbëhen nga 60 pikë të mundshme. Që maturanti të klasifikohet fitues, duhet të sigurojë 25% të totalit të pikëve.