Në kuadët të 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, kryesocialisti dhe kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim masiv me socialistë të Qarkut Dibër.
Në hyrje të fjalës së tij, Rama nuk hezitoi të kujtojë batutat e tij me dibranët dhe jo vetëm, të bëra gjatë fushatës për zgjedhjet parlamanetar të 11 majit 2025.
“Unë nuk e kisha pritur që faktikisht të gjithë çyrykët do të provokoheshin dhe do të hidheshin përpjetë dhe do të thonin nuk jemi çyrykë, po burra, dhe të gjithë burrat shkuan pas grave dhe do ta nxirrnin nga kutitë e votimit fitoren më të madhe ndonjëherë për PS. Ai ka qenë edhe një moment tjetër i daljes në pah të mençurisë së kësaj zone, që për një sërë arsyesh ndihem shumë i lirë dhe më vjen mirë që kjo lidhje materializohet dhe me dëshminë e ardhjes”,- tha Rama.
Kryesocialisti theksoi se që nga themelimi i saj, Partia Socialiste ka ecur në arenën politike duke patur prioritet interesin kombëtar.
“Ne kemi parë dhe kemi dëgjuar shumë, por dhe kemi bërë shumë, dhe duke u kthyer tek çfarë tha Ulsiu në fjalën e tij përmbyllëse, unë dua ta rinënvizoj sepse historia e PS nuk nis me momentin kur hyra në parti unë me Ulsiun. Por nis në momentin kur idealët dhe progresistët bënë një zgjedhje shumë të qartë dhe u shkëputën në mënyrë shumë të arsyeshme nga e shkuara, duke i dhënë jetë një partie e cila në këto 35 vite ka shënuar disa gjëra të rëndësishme në librin e jetës politike shqiptare. Në radhë të parë, PS ka provuar më shumë se sa një herë që është e vetmja forcë politike e cila ka një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar. Shembulli më kulmor i këtij fakti është i lidhur me atë periudhë kur PS dhe lideri i saj historik, Fatos Nano, bombardoheshin nga të katër anët si të lidhur me Beogradin. Ata i bombardonin, ishin ata që ditën flisnin për Kosovën dhe natën thyen embargon që bota demokratike i kishte vënë Slobodan Millosheviçit. Ishte pikërisht PS dhe qeveritë e PS”,- tha Rama.
Rama-socialistëve: Çfarë nuk ka thënë PD-ja për robtë e shtëpisë time, unë nuk ua ktheva me të njëjtën gjuhë
Në një takim me socialistë të Dibrës, kryesocialisti dhe kryeminisri Edi Rama theksoi betejat e ashpra që ka pasur me Partinë Demokratike ndër vite, nga e cila nuk ka munguar dhuna sa herë që ajo forcë politike ka qenë në pushtet. Ai tha se PS ka punuar për të çrrënjosur frymën dhe retorikën e urrejtjes partiake dhe politike, në të kundërt të asaj që ka kultivuar PD ndër vite.
“Gjithmonë ajo ka qenë e detyruar të përballet me forcën e shkatërrimit, forcën që kur ka pasur në dorë të shkatërrojë Shqipërinë e ka shkatërruar Shqipërinë, forcën që edhe kur i kanë rënë pantallonat në fund të këmbëve, prap do të shkatërrojë fasadën e Kryeministrisë apo pantallonat e Tiranës. PS e ka katalizuar fryma e tolerancës dhe e njerëzillëkut, ata që PS ka pasur përballë kanë qenë gjithmonë mishërimi i përçmimit dhe i urrejtjes, në dekret edhe në komunistë, në njerëz të demokracisë dhe në njerëz të diktaturës, një dasi, një përçarje, një poshtërim që u shtri deri në fshatin më të largët, ku ishte komshiu për konshiun me partinë, ndërkohë që të dy nuk kishin as gjëja elementare. Nëse dikush do të hapë të gjitha ato që kanë mbetur të shkruara e të regjistruara nga ballafaqimet politike, do të konstatojë diçka ndër të tjera, nga njëri në një ballafaqim i kuruar nga shpirti katran i sherrit me libër shtëpie, me radhë”,- tha Rama.
Kryesocialisti u kujtoi dibranëve sulmet brutale dhe fyerjet e panumërta ndaj tij nga demokratët dhe liderët e tyre.
“PS e ka të shkruar në ADN e vet edhe raportin kristal me interesin kombëtar dhe marrëdhënien e drejtë me të shkuarën, por edhe marrëdhënien qytetare europiane me shoqërinë dhe me botën. Kërkoni dhe shikoni se çfarë i kanë thënë Fatos Nanos, me libër shtëpie, nuk i kanë lënë njeri rreth e rrotull familjes tij pa ia bërë katran. Zor se do të shikoni që Fatos Nano të ketë lënë pas përgjigje të të njëjtit nivel dhe merrni dhe historinë time, një histori ku më falni që po e kujtoj, por është histori ku ka pasur edhe gjak, po e kam kokën e madhe dhe shikoni edhe çfarë nuk është thënë dhe sesa shumë është thënë për të gjithë robtë e shtëpisë time. Nuk keni për të gjetur dot që unë t’i jem kthyer me robtë e shtëpisë vet atyre. Jo sepse ne jemi më të butë, jo sepse ne nuk dimë, por sepse ne jemi qytetarët e Europës në radhë të parë në shpirt, pastaj jemi europianë në mendje”,- tha Rama.
‘PS mbijetoi në errësirë’, Rama kujton djegien e Gazetës ‘Koha Jonë’ me urdhër të Berishës: E bënë shkrumb e hi, gazetarët i morën zvarrë në polici
Nga Dibra, kryeministri Edi Rama kujtoi masakrën zgjedhor të 1996-ës dhe dhunën e ushtruar nga pushteti i Sali Berishës, kundrejt opozitës socialiste. Rama tha se PS mbijetoi në një errësirë, duke kujtuar edhe djegien e gazetës Koha Jonë më 3 mars 1997. Ndonëse Berishën nuk e përmendi me emër, Rama tha se ata që sot sillen sikur kanë sjellë demokracinë, jo vetëm që redaksinë e gazetës e bënë shkrumb e hi, por dhunuan edhe gazetarët që i çuan në polici zvarrë.
“U përballën me rrezik të drejtpërdrejtë për jetën, nuk imagjinohet sot por PS në opozitë mbijetoi në një errësirë ku kishte vetëm një ekran televizori dhe në atë ekran, ishte vetëm RTSH, ku PS mund të shfaqej përmes përfaqësuesve të vet për shumë pak sekonda dhe në ato pak sekonda fytyra mbulohej nga komenti denigrues i RTSH. Ndërkohë që e gjithë fryma opozitare, kishte vetëm një pasqyrë, vetëm Koha Jonë, që ata që krenohen si sjellësit e lirisë dhe demokracisë, e bën shkrumb e hi duke e djegur dhe duke i marrë zvarrë të gjithë gazetarët që ishin aty brenda e duke i çuar në polici. PS nuk është shfaqur asnjëherë e tillë në shoqëri dhe ndaj kundërshtarëve të vet. Shumë shpesh, PS është kritikuar nga vetë socialistët. Lidershipi i PS është kritikuar nga vetë militantët e PS pse është i butë dhe tolerant në momente që kanë qenë momente kthesash të mëdha dhe poshtërimesh të mëdha. Socialistët dhe ata që u poshtëruan dhe u shkelën me këmbë për vite me radhë, panë se si shkelësit me këmbë vazhduan pa hy gjë në këmbë. Në këtë dobësi qëndron forca e madhe e PS, te raportet me shoqërinë dhe demokracinë”, tha Rama.